I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar se dy ditët e fundit ka qenë në Bruksel, për të disktutuar për situatën që po mbretëron në veri.
Lajçak, ka thënë se pavarësisht nga hapat e ndërmarrë situata po vazhdon të mbetet e brishtë në veri.
“I kalova dy ditët e fundit në Bruksel, ku ekipi im dhe unë kemi punuar ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të koordinuar hapat tanë të ardhshëm në adresimin e krizës së vazhdueshme në veri të Kosovës. Fatkeqësisht, pavarësisht nga ekzistenca e hapave të qartë për të ulur me sukses tensionet, situata mbetet e brishtë”, shkroi Lajçak.
“I gëzuar për interesimin e anëtarëve të Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, të cilët më ftuan së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të DG-NEAR Gert Jan Koopman për një diskutim të përbashkët rreth situatës, zhvillimeve të fundit në Dialog dhe përpjekjet tona për të ulur tensionet në terren në veri të Kosovës”.
Ndryshe, rreth dy javë më parë, Lajçaku i takoi në dy takime të ndara kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, pikërisht për situatën që është në veri tash e një muaj.