Një mesazh kërcënues për shpërthim bombe është gjetur këtë të premte në tualetin e avionit të linjës Manchester-Rinas. Mësohet se mesazhi i shkruar në anglisht u gjet rreth orës 19:30.
Në njoftim bëhet me dije se pas marrjes së njoftimit është bërë zbritja e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë. Gjatë kontrollit të avionit raportohet se nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes teksa hetimet lidhur me rastin po vijojnë.
“Rinas/ Informacion paraprak. Rreth orës 19:30, gjatë uljes së avionit të linjës Manchester-Rinas, shërbimet e Policisë Kufitare janë njoftuar nga menaxheri i aeroportit (ODM) se në tualetin e avionit ishte gjetur një letër, e shkruar në gjuhën angleze, me një mesazh kërcënues për shpërthim bombe.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ndërhyrë në pistë dhe kanë bërë të mundur zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve. Më pas, është kryer kontrolli i avionit, i pasagjerëve dhe i bagazheve të tyre, me ndihmën e qenve antieksplozivë.
Në vijim, pasagjerët janë kontrolluar në grupe, fillimisht nga shërbimet e Policisë dhe më pas përmes skanerit të aeroportit, me qëllim identifikimin e sendeve që mund të kenë lidhje me shkrimin e mesazhit kërcënues.
Gjatë kontrollit të avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes. Për rastin është njoftuar edhe struktura e Antiterrorit dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e pasagjerit që ka shkruar letrën”, thuhet në njoftim.
