Kryetari i LDK-së, Lumir Abdoxhiku, ka njoftuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka hapur zyra të reja në Skenderaj, duke e cilësuar këtë si pjesë të misionit për zgjerimin e përfaqësimit qytetar dhe shtrirjen e rugovizmit në këtë komunë.
Gjatë aktivitetit, u vlerësua roli historik i Drenicës dhe figurave si Shaban Polluzha, Familja Jashari dhe vëllezërit Geci. Po ashtu, u vlerësua angazhimi i Fadil Geci për organizimin e degës së LDK-së, me kërkesë për shtrirje të nëndegëve në secilin fshat të komunës.
Postimi i plotë:
Në Skenderaj të Drenicës, hapëm zyrat e reja të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si pjesë e misionit tonë historik për shtrirjen e rugovizmit dhe përfaqësimit qytetar.
Mes kësaj vatër të djathtë, që i dha vendit patriotë të pushkës e dijes – nga Shaban Polluzha, te Familja Jashari, te vëllezërit Geci e veprimtarët historikë të Lidhjes, ndjehet fort pesha e historisë, e sakrificës dhe e qëndresës shqiptare.
Sot, në këtë tokë krenarie e dinjiteti, po ndërtojmë një kapitull të ri përfaqësimi. Me respekt për rrënjët, me besim te njerëzit dhe me bindjen se edhe Drenica meriton zërin e saj të fuqishëm në projektin tonë të bashkimit, zhvillimit dhe shtetndërtimit.
Fadil Gecin e urova per punën, angazhimin e përkushtimin në çdo hap të organizimit gjeografik të LDK-së. I kërkova shtrirjen ne nëmdegë në secilin fshat të kësaj komune që i ka dhëne aq shumë Kosovës.
