Lajme

LDK premton investime energjetike dhe projekte mjedisore për Obiliqin

Për shumë vite, Komuna e Obiliqit ka mbajtur mbi supe një peshë të jashtëzakonshme, duke bartur barrën e prodhimit të energjisë që mban në dritë familjet, qytetet dhe shtetin e Kosovës.

Andaj, në këtë komunë parashihen investime të rëndësishme në energji, përfshirë edhe investime në mbrojtjen e ambientit.

Kështu u zotua kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit zgjedhor me qytetarët e Obiliqit.

“Më lejoni këtu të jap konfirmimin e LDK-së për investime historike në energji. Do ta kemi gazin amerikan në mbarë Republikën e Kosovës dhe Obiliqi do të jetë në linjën e gazit, që ju të bëheni kryeqytet i energjisë, por kësaj radhe me gaz amerikan, i cili do të shtojë edhe kapacitetet e ngrohjes. Përveç energjisë, do të investojmë edhe në ambient. Janë 113 zotime që do të bëhen realitet. Janë projekte shëndetësore, energjetike, ekonomike, arsimore dhe investime kapitale, dhe këtë do ta bëjë LDK-ja”, theksoi Abdixhiku.

Ndërkaq, bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, bëri thirrje për mbështetje të vizionit të partisë, duke theksuar nevojën për unitet dhe angazhim të përbashkët në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Jemi një qytet që e ka mbajtur dritën ndezur dhe kjo dritë është paguar me sakrifica nga familje që kanë jetuar me ajër të rënduar.

Sot e themi qartë se Obiliqi duhet të shndërrohet në simbol të drejtësisë dhe duhet ta ndiejë dorën e shtetit, të cilin ju e keni mbajtur në këmbë.

Vijmë me punë të dëshmuar nga ish-kryetari juaj dhe me plan konkret nga Abdixhiku, një program që garanton transformim energjetik, investime në teknologji të pastër që ndikojnë në mbrojtjen e shëndetit, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ajo.

Sipas tyre, banorët e kësaj komune meritojnë trajtim dinjitoz dhe ajër të pastër. Andaj, për ta bërë realitet këtë transformim energjetik dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, u kërkua mbështetja e tyre për LDK-në.

Të Ngjashme