Lajme

Lëvizje e madhe e NATO-s në Kosovë, eksperti zbërthen prapaskenat: Zvogëlimi i trupave nuk është tërheqje, por…!

Gjatë ditës së sotme, NATO paralajmëroi për zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Kosovë, duke argumentuar se situata e sigurisë në vend po përmirësohet vazhdimisht.

Vendimi për reduktimin e trupave të KFOR-it vjen pas një shqyrtimi të plotë dhe një vlerësimi të bazuar në inteligjencë të situatës së sigurisë.

E në lidhje me këtë vendim, për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala.

Ai tha se, ky është një vlerësim i situatës së sigurisë dhe jo një tërheqje nga angazhimi i NATO-s në Kosovë.

“Vendimi i NATO-s për reduktimin gradual të pranisë së trupave të KFOR-it në Kosovë duhet të kuptohet si rezultat i një procesi të gjatë vlerësimi të situatës së sigurisë dhe jo si një tërheqje nga angazhimi i Aleancës në Kosovë”.

Krahas kësaj, Shala potencoi se, reduktimi i numrit të trupave të KFOR-it duhet parë si një sinal pozitiv dhe si një vendim që ka ardh nga një proces i detajuar mbi situatën e sigurisë në vend.

“Gjatë shtatë muajve të fundit, brenda strukturave të NATO-s dhe misionit të KFOR-it është zhvilluar një proces i detajuar vlerësimi, ku është analizuar jo vetëm performanca e vetë misionit, por edhe progresi i institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Ky proces ka përfshirë vlerësime të bazuara në inteligjencë, kapacitete operative dhe nivelin e gatishmërisë institucionale për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë.

Në këtë kontekst, reduktimi i numrit të trupave mund të shihet si një sinjal pozitiv i besimit të NATO-s në stabilitetin e përgjithshëm të vendit, në profesionalizmin e Policisë së Kosovës dhe në zhvillimin gradual të kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës”, theksoi ai.

Mes tjerash, Shala nënvizoi si një vendim i tillë është gjithashtu edhe sinjal i rritjes së besimit të aleatëve në aftësinë e institucioneve tona të sigurisë.

Në këtë pikë, ai foli edhe për planin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.

“Një element me rëndësi strategjike është edhe zbatimi i Planit Gjithëpërfshirës 10-vjeçar të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Rezultatet e para të këtij transformimi tashmë janë të dukshme dhe po reflektohen në vlerësimet pozitive të partnerëve ndërkombëtarë. Sipas dinamikës aktuale të zhvillimit, periudha pas vitit 2028 pritet të hapë diskutime konkrete për bartjen graduale të disa kompetencave dhe përgjegjësive nga KFOR-i tek Forcat e Armatosura të Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s dhe me zhvillimet e mjedisit të sigurisë.

Prandaj, ky vendim nuk duhet parë si zvogëlim i rëndësisë së Kosovës për NATO-n, por si tregues i progresit institucional të vendit dhe i rritjes së besimit të aleatëve në aftësinë e institucioneve kosovare për të kontribuar gjithnjë e më shumë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.

Të Ngjashme