Lajme

Lista Studentore nën kritika pas vizitës në Kosovë – “Shkeli parimet duke takuar Teodosijen, bashkëpunëtorin e

Vizita e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë ka nxjerrë në pah përplasjet brenda qarqeve politike dhe publike serbe, pas ndryshimit të raporteve të forcave politike në Beograd.

I ashtuquajturi “Këshilli Kombëtar Serb” ka kritikuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë, veçanërisht takimin e tyre me mitropolitin Teodosije dhe kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë, Zhivojin Rakoçeviq.

Në reagimin e këtij këshilli, Teodosije dhe Rakoçeviq akuzohen se për vite me radhë kanë heshtur për politikat e presidentit të atëhershëm serb, Aleksandar Vuçiq, dhe të Listës Serbe, të cilat, sipas tyre, kanë dëmtuar interesat e komunitetit serb në Kosovë.

“Këshilli Kombëtar Serb” ka vlerësuar se përfaqësuesit e Listës Studentore, të cilët fituan zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, me këto takime kanë shkelur një nga parimet kryesore të lëvizjes studentore: mospërfshirjen në bashkëpunim me personat që kanë qenë të lidhur me regjimin e Vuçiqit.

“Me vizitën te peshkopi Teodosije dhe Zhivojin Rakoçeviqi, ata shkelën parimin se nuk do të bashkëpunojnë me ata që kanë bashkëpunuar me regjimin e Aleksandar Vuçiqit”, thuhet në reagim.

Sipas Këshillit, përgjegjësia e Teodosijes dhe Rakoçeviqit për zhvillimet e dekadës së fundit në Kosovë nuk dallon shumë nga ajo e Listës Serbe.

“Dallimi në përgjegjësinë e tyre për veprimtarinë dhjetëvjeçare të Vuçiqit kundër popullit serb dhe identitetit kombëtar serb është i vogël krahasuar me të ashtuquajturën Listë Serbe”, theksohet në reagim.

Kritikat më të ashpra i janë drejtuar mitropolitit Teodosije, të cilin Këshilli e konsideron pjesërisht përgjegjës për gjendjen në të cilën ndodhet komuniteti serb në Kosovë.

Sipas reagimit, Teodosije, përmes mbështetjes publike për Listën Serbe dhe rrjedhimisht për Vuçiqin, ka ndikuar në orientimin politik të serbëve të Kosovës.

Sipas këtij këshilli, takimet do të mund të arsyetoheshin nëse përfaqësuesit e Listës Studentore do t’ia kishin bërë të qartë Teodosijes përgjegjësinë që, sipas tyre, ai mban për gjendjen e serbëve në Kosovë.

Përfaqësuesit e Listës Studentore vizituan gjatë fundjavës manastirin e Graçanicës dhe atë të Deçanit, ku zhvilluan takime me përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe

Të Ngjashme