Aktuale

“Ma shqyen zemrën”, nëna e parukierit që u vra nga grupi i Igli Kamberit rrëfen dhimbjen: Djali im nuk kishte asnjë lidhje me ta

La Repubblica i ka kushtuar një artikull ngjarjes ku mbeti i vrarë parukieri 26-vjeçar Francesco Diviesti. Prokuroria e Barit ka rindërtuar ngjarjen e rëndë të vrasjes së parukierit 26-vjeçar Francesco Diviesti si një ekzekutim mafioz të paramenduar, të organizuar nga grupi kriminal i udhëhequr nga shqiptari Igli Kamberi.

Hetuesit e DIA-s dhe policisë së Andria-s kanë dokumentuar se konflikti nisi nga një borxh prej 500 eurosh për drogë, ku pas kthimit të një makine me qira, viktima kishte ende 300 euro pa paguar. Kundërshtimi i tij për kilometrazhin e bërë u interpretua nga Kamberi si një fyerje e pafalshme ndaj autoritetit të “shefit”.

Sipas prokurorëve Daniela Chimienti, Ettore Cardinali dhe Vito Valerio, Diviesti u rrëmbye me forcë nga Barletta dhe u dërgua në një gurore mes Minervino-s dhe Canosa-s, ku u ekzekutua me pesë plumba nga dy armë, më pas trupi iu dogj.

Gjykatësi Giuseppe De Salvatore e cilësoi krimin si të paramenduar dhe të kryer me metoda mafioze. Koordinatori i DDA-së, Giuseppe Gatti, e përshkroi aktin si “fyerje ndaj kujtimit të tij” dhe paralajmërim për komunitetin.

Hetimet zbuluan se mizoria e ekzekutimit kishte për qëllim të shërbente si mesazh frikësues për të tjerët, përfshirë edhe mikun e Diviestit, i cili shpëtoi vetëm sepse u arrestua më 25 prill për armëmbajtje.

Prokuroria ka evidentuar se grupi i Kamberit kishte ngritur një strukturë të qëndrueshme në Barletta, duke dominuar trafikun e drogës dhe duke dërguar fitimet milionëshe në Shqipëri për pastrim.

Në dy operacione të DIA-s u sekuestruan shuma të mëdha parash, ndërsa hetimi është shtrirë edhe në Shqipëri me dhjetë masa sigurie të ekzekutuara në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme të Tiranës.

Nëna e Francesco Diviestit, Maria Marzocca, ka folur për humbjen e djalit të saj, duke theksuar se ai nuk kishte asnjë lidhje me botën e mafies.

“Djali im nuk kishte asnjë lidhje me ta. Kishte një rreth njohjesh që nuk më pëlqente, kemi debatuar për këtë,” ka rrëfyer ajo.

Pas vrasjes, ajo vendosi të bashkëpunojë me hetuesit pavarësisht frikës:

“Kishim frikë, sepse këta janë njerëz të rrezikshëm, por nuk mund të ndalesha, ma kanë shqyer lëkurën dhe zemrën.”

Për nënën, krimi ishte një tronditje e papërballueshme, pasi djali i saj “ndoshta nuk e dinte me kë kishte të bënte” dhe nuk e kuptonte përmasën e rrezikut.

Të Ngjashme