Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me Sandra Oudkirk, zëvendësen civile të Komandantit dhe këshilltaren për Politikë të Jashtme të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe USEUCOM-it, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të partneritetit në fushën e mbrojtjes.
Një tjetër temë e diskutimit ishte zhvillimi i ardhshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe shqyrtimi i mundësive për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes.
Postim i plotë:
Sot pata kënaqësinë të takoj znj. Sandra Oudkirk, Zëvendësen civile të Komandantit dhe Këshilltaren për Politikë të Jashtme të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).
Diskutuam për bashkëpunimin me USEUCOM-in dhe mundësitë për ta thelluar më tej partneritetin në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Biseduam gjithashtu për zhvillimin e ardhshëm të FSK-së dhe për shqyrtimin e mundësive të bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes.
E falënderova znj. Oudkirk për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Republikën e Kosovës. Partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe për një të ardhme më të sigurt.
