Lajme

​“Mbështetja ushtarake amerikane për Kosovën, mesazh i qartë besimi ndaj shtetit tonë”

Asociacioni “Albanians For America” ka vlerësuar se procedimi nga Departamenti amerikan i Shtetit në Kongresin e këtij shtetit të lejes për eksportimin e artikujve të mbrojtjes dhe shërbimeve ushtarake për Kosovën në vlerë prej mbi 14 milionë dollarësh, përbën një mesazh të qartë besimi të Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj të sigurisë.

Në reagimin e këtij asociacioni lobues të shqiptarëve në SHBA, thuhet se dërgimi i çështjes për shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan dëshmon seriozitet institucional dhe mbështetjen bipartizane që shteti më i ri në Evropë gëzon në Washington.

“Albanians For America” thekson se Shtetet e Bashkuara kanë qenë vazhdimisht në krah të Kosovës në momentet kyçe të zhvillimit të saj, duke përmendur mbështetjen me automjete Humvee, ASV, dronë dhe sisteme moderne të mbrojtjes, si dhe përkrahjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri profesionale dhe të denjë për NATO-n.

Sipas reagimit, angazhimi i FSK-së në misione ndërkombëtare dhe përgatitjet për pjesëmarrje në forcën stabilizuese në Gazë dëshmojnë rolin gjithnjë e më aktiv të Kosovës përkrah aleatëve ndërkombëtarë.

Ky asociacion shprehu mirënjohje ndaj Departamentit amerikan të Shtetit, Kongresit të SHBA-së, Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe institucioneve të tjera amerikane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në forcimin e sigurisë, sovranitetit dhe rrugëtimit euro-atlantik.

“Mbështetja e Amerikës për Kosovën mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajon”, thuhet në reagim, transmeton KosovaPress.

“Albanians For America” e portretizon veten si “një përpjekje kombëtare e udhëhequr nga shqiptaro-amerikanët për të ndërtuar konsensus bipartiak në Kongres, me qëllim mbrojtjen e lirive të të gjithë shqiptarëve në Ballkan”.

Të Ngjashme