Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se deri në ora 13:00 kanë votuar 38.97% e votuesve pra 10 mijë e 804 votues nga 26 përfaqësi diplomatike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në konferencën për media, tha se nga ora lokale në Prishtinë 13:00 ka filluar edhe votimi në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, kështu procesi tashmë po zhvillohet në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Elezi: Deri në orën 13:00 kanë votuar 38.97 për qind
“Me fillimin e votimeve në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Tashmë procesi i votimit është duke u zhvilluar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës. Sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00, nga 27 mijë e 724 votues të regjistruar kanë votuar 38.97 për qind, apo 10 mijë e 804 votues.”, tha Elezi.
Elezi sqaroi se të drejtë vote gjatë ditës së sotme kanë vetëm qytetarët nga diaspora që janë regjistruar paraprakisht për të votuar në përfaqësi diplomatike.
Sipas tij, në listat e votuesve të dërguara në përfaqësi diplomatike gjenden vetëm emrat e shtetasve që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë periudhës së regjistrimit si votues jashtë Kosovës.
Ai shtoi se votimi po zhvillohet në 47 vendvotime, të cilat u përkasin 17 ambasadave dhe 13 konsullatave të Republikës së Kosovës në 18 vende të ndryshme të botës.
