Mbi 100 milionë euro dyshohet se u janë zhvatur qytetarëve të vendeve të Bashkimit Europian përmes skemave të mashtrimit të ngritura nga call center-at të hetuara në tiranë në tre muajt e fundit.
Janë 8 operacione kundër këtij fenomeni, me mbi 30 persona të arrestuar dhe më shumë se 90 të proceduar penalisht.
Gjashtë prej operacioneve janë finalizuar nga Policia e Tiranës, ndërsa dy të tjerat janë zhvilluar nga SPAK, Eurojust dhe Europol.
Sipas autoriteteve, përmes këtyre call center-ave mashtronin qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin ose të transferonin shuma parash në skema të rreme, me pasoja të rënda financiare për viktimat.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, mbi 300 njësi kompjuterike dhe telefona celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Shifrat tregojnë edhe intensifikimin e goditjes së këtij fenomeni.
Vetëm në periudhën prill–maj–qershor dhe dy javët e para të korrikut 2026 janë goditur 8 call center-a, po aq sa u goditën gjatë gjithë vitit 2025.
Ndërkohë, në tre muajt e parë të vitit 2026, janar, shkurt dhe mars, nuk u regjistrua asnjë operacion ndaj këtij fenomeni.
Në dosjet hetimore thuhet se skema funksiononte me ndarje të qarta detyrash, kontroll hierarkik dhe strukturë të ngjashme me atë të një biznesi legjitim, duke mundësuar mashtrime ndërkufitare në shkallë të gjerë.
