Aktuale

Mbi 120 akademikë shqiptarë të diasporës në mbështetje të protestave, më 20 qershor pritet tubim madhështor dhe

Mbi 120 akademikë shqiptarë të diasporës në mbështetje të protestave, më 20 qershor pritet tubim madhështor dhe marshim nga Shkodra në Tiranë
Mbi 120 akademikë dhe intelektualë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për protestën në Shqipëri dhe kërkesat e protestuesve për një “Shqipëri të re”. Përmes një deklarate të përbashkët, firmëtarët i kanë cilësuar legjitime kërkesat për një qeverisje më të përgjegjshme, më transparente dhe më të drejtë, si dhe për institucione që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit. Në deklaratën e tyre, akademikët e diasporës e lidhin krizën aktuale edhe me situatën në arsim, shkencë dhe inovacion. Sipas tyre, politikat e ndjekura ndër vite kanë toleruar nënfinancimin e sektorit, mungesën e meritokracisë, dobësimin e integritetit akademik dhe krijimin e lidhjeve klienteliste, duke penguar zhvillimin afatgjatë të vendit. “Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike”, thuhet në deklaratën e mbështetjes.

Firmëtarët theksojnë se mungesa e financimit të qëndrueshëm, ndërhyrjet politike në universitete, autonomia e brishtë akademike dhe shkëputja e arsimit nga zhvillimi ekonomik janë pjesë e së njëjtës krizë që, sipas tyre, qytetarët po e kundërshtojnë përmes protestave. Në përfundim të deklaratës, akademikët shprehin gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në procesin e reformimit të institucioneve dhe ndërtimin e një modeli të ri qeverisjeje në interes të publikut. Ndërkohë, aktivistja shqiptare në Berlin, Oneda Vruzhaj, njoftoi se në ditët në vijim do të zhvillohen disa marshime proteste nga Shkodra drejt Tiranës, ku më të mëdhatë janë planifikuar më 20 dhe 23 qershor. E ftuar në një intervistë televizive, Vruzhaj deklaroi se grupe të shumta shqiptarësh nga diaspora, përfshirë nga Berlini, po organizohen për të udhëtuar drejt Shqipërisë dhe për t’u bashkuar me tubimet. Ajo tha se protesta ka krijuar një frymë mobilizimi mes shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, veçanërisht tek të rinjtë, duke i bërë thirrje qytetarëve të mos dorëzohen dhe të vazhdojnë mbështetjen për nismën që synon ndryshime politike dhe institucionale në vend.

Reagon Bushati

Nga ana tjetër, ish-ministri i Jashtëm socialist, Ditmir Bushati ka dhënë një tjetër mesazh goditës sa i takon protestave që po shkundin qeverinë prej 18 ditësh. Përmes një mesazhi publik, Bushati e cilësoi mbështetjen e akademikëve si një akt të lartë përgjegjshmërie qytetare dhe patriotike, duke theksuar se nuk ka gjë më të vlefshme sesa kur elita intelektuale shqiptare jashtë vendit angazhohet për ripërtëritjen demokratike të Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria ka nevojë për një patriotizëm të ri që vendos në qendër demokracinë, sigurinë e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta dhe një ekonomi të mbështetur te dija. Ky është mesazhi i dytë goditës i Bushatit, pasi pak ditë më parë ai mbështeti tubimet dhe i dërgoi mesazh të fortë Edi Ramës.

“Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin. Për një patriotizëm të ri që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, një ekonomi që bazohet në dije, solidariteti dhe kohezioni social. Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje. Kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm”, shkruan Bushati. Kujtojmë se reagimi i tij vjen pasi 123 akademikë, profesorë, studiues dhe kërkues shkencorë shqiptarë nga Gjermania, Britania e Madhe, SHBA, Zvicra, Italia, Franca, Belgjika, Austria, Holanda, Danimarka, Norvegjia dhe vende të tjera publikuan një deklaratë në mbështetje të protestës qytetare dhe kërkesës për një “Shqipëri të re”.

Të Ngjashme