Lajme

Mbi 900 zyrtarë do të angazhohen për rezultate preliminare dhe statistika nga votimi

Më shumë se 900 zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të angazhohen në qendrat e votimit në mbarë Kosovën për të transmetuar në publik për atë që zgjon interesimin më të madh në ditën e zgjedhjeve: rezultatet preliminare dhe statistikat e votimit.

Ky lajm është bërë i ditur për kp nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka ndarë detajet e fundit rreth përgatitjeve për procesin zgjedhor.

Sipas tij, gjatë ditës së zgjedhjeve, këta zyrtarë do të ngarkojnë në platformën e rezultateve të dhënat për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime në gjashtë termine të ndryshme. Pas përfundimit të procesit të votimit, ata do të nisin edhe ngarkimin e rezultateve preliminare për subjektet politike, bazuar në formularët e plotësuar nga këshillat e vendvotimeve.

Elezi: Mbi 900 zyrtarë do të angazhohen për rezultate preliminare

“KQZ-ja ka bërë përgatitjet teknike për funksionalizimin e platformës elektronike për publikimin e statistikave dhe rezultateve. Janë angazhuar më shumë se 900 zyrtarë të cilët do të mbulojnë Qendrat e Votimit ku do të zhvillohet procesi zgjedhor. Fillimisht, gjatë ditës së zgjedhjeve, platforma do të shërbejë për publikimin e të dhënave mbi pjesëmarrjen e votuesve në 6 orare të ndryshme, pra çdo dy orë (09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00), ndërsa pas përfundimit të procesit të votimit, nga vendvotimet ku do të numërohen fletëvotimet do të mundësojë publikimin e rezultateve preliminare të subjekteve politike”, tha Elezi.

Më tej, Elezi ka shpjeguar se sipas dispozitave të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pas mbylljes së procesit të votimit, në vendvotime bëhet numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike që garojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, votat e kandidatëve për deputetë numërohen në Qendrat Komunale të Numërimit.

Sipas KQZ-së, kjo platformë nuk do të shërbejë vetëm në ditën e zgjedhjeve. Përmes saj do të publikohen edhe aktivitetet dhe proceset e tjera zgjedhore që pasojnë votimin, deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare.

Elezi: Në Qendrat Komunale do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike

“Platforma e rezultateve, përveç që do të shërbejë në ditën e zgjedhjeve, e njëjta do të mundësojë publikimin e rezultateve nga aktivitetet që zhvillohen pas ditës së zgjedhjeve në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Në Qendrat Komunale do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Ndërkaq, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, do të zhvillohen disa aktivitete, pra numërim i fletëvotimeve nga disa lloje të votimit, siç janë: votimi me kusht; votimi i personave me nevoja të veçanta; votimi me postë dhe votimi në përfaqësi diplomatike. Gjithashtu, platforma do të shërbejë edhe për transmetimin e rezultateve nga rinumërimet eventuale të cilat bëhet më vendim të KQZ-së apo të institucioneve tjera (PZAP dhe Gjykata Supreme)”, tha Elezi.

Procesi zgjedhor në Kosovë do të zhvillohet në 949 Qendra Votimi, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime do të hapen për votimin e rregullt dhe në 38 të tjera do të mundësohet vetëm votimi me kusht.

Të Ngjashme