Lajme

Mbi gjysmën e rasteve të kancerit të gjirit në Kosovë u zbuluan herët gjatë vitit 2025

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se 53.4 për qind e rasteve të kancerit të gjirit të diagnostikuara në Kosovë gjatë vitit 2025 janë zbuluar në fazën e parë dhe të dytë të sëmundjes. Sipas tij, kjo përbën një tregues inkurajues për mundësitë e trajtimit në kohë dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta.

Këto të dhëna u prezantuan në konferencën ndërkombëtare “Karcinoma e Gjirit dhe Sfidat e Saj”, e organizuar në kuadër të muajit rozë, ku u diskutuan sfidat në parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Vitia theksoi se institucionet shëndetësore po punojnë për zgjerimin e shërbimeve të skriningut dhe përmirësimin e qasjes së grave në ekzaminime mjekësore.

“Përmes këtij plani synojmë organizim më të mirë të kontrolleve dhe zgjerim të mundësive për zbulim të hershëm. Mamografia në institucionet tona publike është falas gjatë gjithë vitit”, deklaroi ai.

Ministri bëri të ditur se Kosova tashmë ka Planin e parë të Veprimit për Skriningun e Kancerit të Gjirit për periudhën 2026–2028. Krahas mamografit të vendosur në Fushë Kosovë, ai njoftoi se pritet të instalohen edhe tetë pajisje të reja digjitale në komunat ku mungon kjo teknologji. Po ashtu, mamografi mobil po përdoret për t’ua lehtësuar grave qasjen në kontrolle në pjesë të ndryshme të vendit.

Ai përmendi edhe avancimin e shërbimeve të radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë, ku janë vendosur dy akseleratorë të rinj, njëri prej të cilëve mundëson përdorimin e teknologjisë SBRT.

Vitia vuri në pah edhe nevojën për mbështetje psikologjike për gratë që diagnostikohen me kancer të gjirit, duke theksuar se ato duhet të kenë informim të duhur dhe përkrahje gjatë trajtimit dhe rikuperimit.

“Detyra jonë është që këtyre pyetjeve t’u përgjigjemi me shpresë, me zgjidhje dhe me kujdes në kohë”, u shpreh ministri.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se investimet në pajisje moderne dhe përdorimi i metodave të reja terapeutike kanë ndikuar në zhvillimin e shërbimeve për pacientët me sëmundje malinje në Kosovë.

Gjatë konferencës, ai foli për përmirësimet në radioterapi, mundësitë e trajtimit me barna të reja dhe avancimin e proceseve të përgatitjes së terapive.

“Duke zbatuar këto metoda bashkëkohore të rrezatimit, mundësojmë një trajtim më të saktë, më të përshtatshëm për nevojat individuale të pacientëve”, deklaroi Kurtishi.

Sipas tij, klinika disponon tri pajisje për radioterapi, përmes të cilave aplikohen teknika moderne, përfshirë radioterapinë me intensitet të moduluar (IMRT) dhe stereotaksinë.

Kurtishi theksoi gjithashtu rëndësinë e sigurimit të qasjes në barna të reja dhe terapi bashkëkohore për kancerin e gjirit, në mënyrë që trajtimi të përshtatet me karakteristikat e sëmundjes dhe gjendjen individuale të pacientëve.

Ndër zhvillimet e përmendura prej tij është edhe përmirësimi i infrastrukturës së klinikës, si dhe avancimi i mënyrës së përgatitjes së barnave citostatike. Ai bëri të ditur se janë duke vazhduar procedurat për futjen e metodave automatike në këtë proces.

“Këto investime dhe ndryshime organizative synojnë të rrisin sigurinë, saktësinë dhe efikasitetin në përgatitjen dhe administrimin e terapive, duke vendosur sigurinë e pacientëve në qendër të çdo procesi”, tha ai.

Megjithatë, drejtori i Onkologjisë vlerësoi se përmirësimi i mëtejshëm i shërbimeve kërkon investime të vazhdueshme, edukim profesional dhe bashkëpunim me institucione ndërkombëtare.

Edhe drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Mentor Zejnullahu, nënvizoi rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjes, trajtimit cilësor dhe bashkëpunimit mes profesionistëve shëndetësorë.

Ai tha se përmirësimi i shërbimeve dhe forcimi i kapaciteteve profesionale mbeten ndër synimet kryesore të institucioneve shëndetësore.

“Diagnostikimi i hershëm, trajtimi cilësor dhe bashkëpunimi ndërmjet profesionistëve shëndetësorë janë thelbësorë në luftën kundër kësaj sëmundjeje”, deklaroi Zejnullahu.

Ai shtoi se qëllimi i institucioneve është që çdo paciente të marrë kujdesin e nevojshëm, duke kombinuar profesionalizmin me qasjen humane.

Konferenca u fokusua në rëndësinë e diagnostikimit të hershëm, përmirësimin e trajtimit dhe fuqizimin e shërbimeve shëndetësore për gratë që përballen me kancerin e gjirit. Kontrollet e rregullta dhe qasja në shërbime diagnostikuese mbeten ndër elementet kryesore për zbulimin e sëmundjes në fazat e hershme.

Të Ngjashme