Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala i cili po ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të mërkurën u dhanë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë. Mbrojtja kërkoi aktgjykim lirues, derisa Prokuroria fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim.
Mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Besnik Berisha, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtarë ndër të tjera, tha se Prokuroria Speciale në asnjë mënyrë nuk ka arritur ta vërtetojë kryerjen e veprës penale nga Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës, Shala se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin Shala e ka baxhanak.
Andaj, avokati Berisha shtoi se edhe me dhënien e dëshmisë së dëshmitarit Valdet Teneqja- baxhankut, u vërtetua se me kompaninë e njëjtë “Euro Inspekt”, ka operuar për së paku 8 vite në shërbim të MTI-së, e jo vetëm në kohën e ish-ministrit Shala.
Mbrojtja i propozoi Gjykatës që në përfundim të këtij gjykimi të marrë aktgjykim lirues dhe për shkak se nuk është mundur të vërtetohet fajësia e tij të lirohet nga të gjitha akuzat.
“Kjo aktakuzë, të rrëzohet sepse ligësisht është nisë, kundërligjshëm është vazhdu, tinzërisht është ndryshu kualifikimi”, tha avokati Berisha.
Kurse, nga ana e Prokurorisë Speciale, prokurori Shehadin Destani, e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe deklaroi se nuk ka nevojë për elaborim sepse gjithçka është e shkruar me shkrim.
Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani Hajra, me dhënien e fjalëve përfundimtare, deklaroi të përfunduar këtë shqyrtim gjyqësor dhe shpalljen e aktgjykimit e caktoi për një datë tjetër.
Ndryshe, në këtë rast akuzohet edhe ish-ministri Vesel Krasniqi po që seanca e 1 dhjetorit 2025 kishte dështuar në mungesë të të akuzuarit Shala. Në atë rast, avokati Artan Qerkini që mbron të akuzuarin Krasniqi, kishte kërkuar që çështja penale të veçohet në mënyrë që të procedohet më shpejtë. Andaj, Gjykata jashtë seancës ka marrë vendim për veçimin e procedurës penale.
Dy të akuzuarit në seancën fillestare të mbajtur më 27 nëntor 2024 janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Themelorja dhe Apeli kanë konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministrave Krasniqi dhe Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 shtator 2024 kishte paraqitur kërkesë në Prokurorinë Speciale për plotësimin/përmirësimin e aktakuzës.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 gusht 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, të cilët i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Vesel Krasniqi në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë akuzohet se me dashje dhe dijeni, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe pa autorizim ka iniciuar dhe zbatuar procedurat ligjore për përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, të cilin e ka miratuar më 11 nëntor 2020.
Ky UA sipas aktakuzës përmban disa nene të cilat janë në dëm të interesit publik dhe në dobi të interesit privat, përkatësisht me nenet 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana pa kosto shtesë.
Aktakuza thotë se kjo çështje me këtë vendim ka kaluar te operatorët ekonomikë privatë dhe si rrjedhojë e kësaj në një proces jotransparent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me vendimin e 30 dhjetorit 2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane OE “Sicpa SA” si trupë që do të kryente shënjimin dhe monitorimin e derivative të lëngëta të naftës.
Ndërsa, thuhet se më 14 janar 2021, kishte nëshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila ishte dëmtuar interesi publik në shumën 11 milionë e 235 mijë e 706 euro e 31 centë, duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivateve të naftës me qëllim përfitimi për kompaninë private dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës, si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore.
Me këto veprime, Krasniqi akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Kurse, Endrit Shala akuzohet se në cilësinë e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, me dashje dhe dijeni, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare në mënyrë që të përfitojë dobi pasurore personi tjetër.
Në aktakuzë thuhet se duke i anashkaluar dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik, ka nënshkruar përkatësisht miratuar vendimin me të cilin operatori ekonomik “Euro Inspekt” dhe emri i biznesit Valdet S.Teneqja, është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, e cila kompani është në pronësi të Valdet Teneqes, të cilin sipas aktakuzës, Shala e ka baxhanak.
Me këtë veprim, thuhet se i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të Teneqes, realizimin e dobisë pasurore në lartësi 732 mijë e 642 euro e 28 centë.
Andaj, për këto veprime, Shala ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Përmes kësaj aktakuze, prokurori special Milot Krasniqi ka kërkuar që ndaj të akuzuarve krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues- Ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratën publike ose në shërbim publik.
Ndryshe, Shala ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë në periudhën 2018-2020, kurse Krasniqi në periudhën qershor 2020- mars 2021.
