GJKKO ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor për çështjen e vrasjes së ish-oficerit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko, në një seancë të shoqëruar me tensione.
Gjatë seancës, Ilir Selmanaj mohoi çdo përfshirje në atentatin e ndodhur në gusht të vitit 2019, duke deklaruar para trupit gjykues: “Jam i pafajshëm, nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje.”
Deklarata e tij shkaktoi reagimin e nënës së Santiago Malkos, e cila, mes emocionesh, e akuzoi drejtpërdrejt Selmanajn si autor të vrasjes së të birit.
“Ky ma ka vrarë djalin. Të dënohet me 28 vite burg ose ma sillni djalin në shtëpi ta shikoj dhe nxirreni jashtë këtë,” u shpreh ajo në sallën e gjyqit.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues u tërhoq për vendim, i cili do të shpallet më 17 korrik.
Ilir Selmanaj akuzohet si pjesë e grupit të njohur si “Klani Duka”, në konfliktin me grupin e Ervis Martinajt, ndërsa çështja lidhet me atentatin ku mbeti i vrarë ish-efektivi i policisë, Santiago Malko.
