Lajme

Më 23 qershor, tubimi qendror për zgjedhjen e dy anëtarëve të KGJK-së

Në takimin e 368-të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), të martën, u vendos që më 23 qershor 2026 të mbahet tubimi qendror për zgjedhjen e dy anëtarëve të KGJK-së.

Kryetari i Komisionit zgjedhor, Ahmet Imami tha se kanë pranuar 12 aplikime, duke shtuar se nga Gjykata Administrative dhe Fhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale nuk kanë pasur kandidatura.

Gjtihashtu, Imami tha se pas shqyrtimit të aplikacioneve duke u bazuar në të dhënat e mbledhura, kanë ardhur në përfundimi se 12 kandidatë  plotësojnë kushtet për të kandiduar, dhe ata janë si në vijim:

Agron Maxhuni, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë- Dega në Vushtrri;

Atdhe Berisha, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prizren;

Besnik Shala, gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Pejë- Dega në Deçan;

Blerim Halimi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë;

Diora Bajrami, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prizren;

Donika Dobruna, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë;

Gentiana Shabani-Haziri, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Gjilan;

Ilir Bytyqi, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Ferizaj;

Mimoza Maloku-Shabani, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Ferizaj;

Musë Povataj, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Pejë;

Valentina Sopjani, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë;

Violeta Namani, gjyqtare në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Imami tha se si Komision zgjedhor në përbërje edhe të dy antarëve- Aferdita Bytyqi dhe Fahret Vellija, kanë përgatitur materialin zgjedhor, përfshirë gjyqtarët me të drejtë vote, si dhe materialet të tjera përcjellëse.

Më tej, Imami lexoi datat e zgjedhjeve që do të zhvillohen fillimisht nëpër gjykata, pastaj datën e tubimit kryesor zgjedhor:

16 qershor 2026 -13:30 – Gjykata Themelore Prishtinë;

17 qershor 2026 – 10:00 – Gjykata Themelore Gjilan dhe Gjykata Themelore Ferizaj – 14:00

18 qershor 2026- 10:00 – Gjykata Themelore Mitrovicë dhe Gjykata Themelore Pejë -14:00;

19 qershor 2026 – 11:00 – Gjykata Themelore Prizren, dhe

23 qershor 2026 – 13:00- tubimi qendror zgjedhor.

Para shpalljes së datave, anëtari Bashkim Hyseni tha se materialet e prezantuara për mbajtjen e procesit zgjedhor, i ngjajnë më shumë raporteve dhe jo sqarimeve në çështjet kontestuese që KGJK ka pasur në të kaluarën.

Hyseni propozoi që të bëhen sqarime më të duhura për procesin zgjedhor, sipas tij, me të vetmin qëllim eliminimin e mangësive që janë paraqitur në të kaluarën.

Në anën tjetër, kryesuesi Rrustem Thaqi tha se këto materiale përgatiten bazuar në rregulloret në fuqi dhe se nuk mund të vijohet me ndryshime për një proces gjyqësor që po zhvillohet, duke shtuar se mund të paragjykohet si proces.

Në anën tjetër, anëtari Imami tha se mund të kërkohet opinion ligjor nga Zyra e Departamentit Ligjor për këtë propozim të Hysenit. Por, ky i fundit kundërshtoi këtë ide, duke thënë se nuk e di sa ka kompetencë për dhënie të opinioneve ligjore kur ato opinione duhet t’i ketë vetë KGJK-ja.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar lidhur me listën e kandidatëve për dy pozita për anëtarë të Këshillit.

Deri te shpalla e zgjedhjeve erdi pasi që dy anëtarëve aktual- Arjeta Sadiku dhe Fidan Hoxha, iu skadon mandati në korrik 2026.

Aktualisht, KGKK në radhët e veta duhet të ketë 13 anëtarë, ndërsa tani ka 11 anëtarë. Për një anëtar procesi ka marrë rrugët gjyqësore, ndërkaq në Kuvendin e Republikës së Kosovës kishte dështuar të bëhet zgjedhja.

Në këtë takim, u bë njoftimi për pensionimin e gjyqtarit Tomislav Petkoviq- gjyqtar në Gjykatën e Apelit, emri i të cilit u dërgua te Presidentja për lirim nga detyra.

Krejt në fund, anëtari Bashkim Hyseni sërish mori fjalën, duke thënë se mbledhja elektronike nuk mund të zhvillohet përmes komunikimeve në e-mail dhe se në asnjë formë mbledhja elektronike nuk zëvendësohet përmes komunikimit elektronik. Tha se kjo praktikë është joligjore.

Në anën tjetër, kryesuesi Thaqi tha se për raste të jashtëzakonshme parashihet që të merren vendime për shkaqe emergjente.

Të Ngjashme