Lëvizja Vetëvendosje, Partia Guxo, Partia Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane kanë formalizuar një marrëveshje koalicioni parazgjedhor, duke shënuar një bashkim të ri politik në prag të proceseve zgjedhore në vend.
Bashkëkryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka reaguar pas nënshkrimit të koalicionit, duke theksuar se bashkimi me Lëvizjen Vetëvendosje është i bazuar në qëllime strategjike për shtetin.
“Me Albin Kurti na bashkoi Kosova. Nevoja që të ndalim projektet e ndarjes dhe copëtimit, për ta transformuar Kosovën në shtet me sovranitet. Ajo për çka u bashkuam, nga kjo perspektivë, veçse u forcua,” ka deklaruar Peci.
Ai ka shtuar se ky koalicion përfaqëson një pozicionim të qartë politik për të ardhmen e vendit.
Postim i plotë:
Me Albin Kurtin na bashkoi Kosova
Nevoja që të ndalim projektet e ndarjes dhe copëtimit, për ta transformuar Kosovën në shtet me sovranitet. Ajo për çka u bashkuam, nga kjo perspektivë, veçse u forcua.
Në këtë konstelacion forcash, jemi të palëkundur se me kë e shohim partneritetin për Kosovën.
Andaj, sot riafirmuam angazhimin dhe përkushtimin për Kosovën, duke nënshkruar koalicionin me VV, Alternativën dhe PSHDK-në.
Të palëkundur në parime, të palëkundur për Republikën e Kosovës.
