Aktuale

“Më fshinë videot nga telefoni”, Arjan Konomi rrëfen përplasjen me eskortën e Ramës në Vuno

Një incident i raportuar të enjten në Vuno ka përfshirë gazetarin dhe publicistin Arjan Konomi, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në zonë.

Konomi, banor i Vunoit, ka deklaruar se shkak i përplasjes është bërë parkimi i automjeteve të eskortës së kryeministrit në një hapësirë ku, sipas tij, qytetarët ndëshkohen nga policia kur parkojnë.

Në një rrëfim të publikuar në rrjetet sociale, Konomi pretendon se është thirrur për të sqaruar situatën, por më pas situata është tensionuar. Ai thotë se ka pasur një përballje me pjesëtarë të eskortës dhe policisë, ndërsa më vonë është shoqëruar në Komisariatin e Himarës, ku pretendon se është mbajtur për disa orë.

Në deklarimet e tij, Konomi ka ngritur gjithashtu pretendime për një sjellje agresive nga Linda Rama gjatë përplasjes. Këto janë pretendime të gazetarit, për të cilat nuk ka një reagim të bërë publik nga pala tjetër.

Ngjarja ka sjellë edhe reagimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ky i fundit ka dënuar atë që e cilëson si “dhunë hakmarrëse” ndaj gazetarit dhe publicistit.

Berisha ka bërë thirrje edhe ndaj organizatave ndërkombëtare të medias që, sipas tij, të reagojnë ndaj ngjarjes, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe bashkëshorten e tij Linda Rama.

Të Ngjashme