Me nderime ushtarake është bërë përcjellja për në banesën e fundit e ish-deputetes së Kuvendit të Kosovës, mjekes, humanistes dhe veprimtares politike, Flora Brovina.
Më herët gjatë ditës, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, janë zhvilluar homazhe në nderim të figurës së saj.
Në shenjë respekti për jetën dhe veprën e Brovinës, kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me bashkëpunëtorë, kanë vendosur lule pranë arkivolit të saj.
Haxhiu ka vlerësuar lart kontributin e Brovinës në jetën publike dhe parlamentare të Kosovës.
“Lajmi për ndarjen nga jeta të Flora Brovinës na pikëlloi të gjithëve. Flora Brovina gjithë jetën e saj ia kushtoi qytetarëve të kombit tonë.
Kosova humbi një mjeke, humaniste, veprimtare politike, veterane të UÇK-së dhe nënshkruese të Deklaratës së Pavarësisë.
Ne do ta kujtojmë përherë për veprat e saj, që do të mbeten përherë në mendjen dhe zemrën e secilit. Prehu në paqe, grua e fortë!”, ka shkruar Haxhiu në librin e zisë.
