Lajme

​Mehani lirohet nga spitali, do të ketë trajtim shtëpiak

Zv.ministri në detyrë, njëherit, kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, është liruar nga Spitali Rajonal i Mitrovicës “Dr. Sami Haxhibeqiri”, ku ishte duke u trajtuar pas sulmit fizik që ndodhi të enjten në një kafiteri në Skenderaj.

Lajmin për lirimin e tij e kanë konfirmuar për KosovaPress nga spitali, duke bërë të ditur se Mehani është lëshuar për trajtim shtëpiak para orës 09:00 të mëngjesit.

Mehani kishte marrë trajtim mjekësor pasi pësoi lëndime në fytyrë dhe kokë si pasojë e rrahjes. Për shkak të gjendjes së tij, ai kishte qëndruar gjatë natës në repartin e Neurologjisë, ku kishte marrë trajtimet e nevojshme dhe ishte mbajtur nën mbikëqyrje mjekësore.

Ai ka akuzuar kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, duke pretenduar se ai, bashkë me persona të tjerë, ishte i përfshirë në sulmin ndaj tij.

Ndërkohë, Lushtaku ka reaguar publikisht ndaj këtyre pretendimeve, duke i mohuar akuzat.

“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, ka shkruar Lushtaku, transmeton KosovaPress.

Në lidhje me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se janë ndaluar për 48 orë E.L. dhe B.N., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas Prokurorisë, dy të dyshuar të tjerë me inicialet S.L. dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim.

Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M. dhe B.Z., si dhe pesë dëshmitarë lidhur me rastin.

Të Ngjashme