Sekretari i Sigurisë në Meksikë, Omar Garcia Harfuch tha të martën se më shumë se 130 mijë trupa janë vendosur në të gjithë vendin për të parandaluar sulme të koordinuara nga kartelet në hakmarrje për arrestimin e një udhëheqësi dhe strategut të tij kryesor financiar, transmeton Anadolu.
Të hënën, forcat meksikane i dhanë një goditje Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s (CJNG) duke arrestuar Audias Flores Silva, i njohur edhe si “El Jardinero” dhe Cesar Alejandro N., i njohur ndryshe si “El Guero Conta”, i cili u identifikua si strategu i tij kryesor financiar.
Gjatë konferencës për media, Harfuch tha se arrestimet dobësojnë drejtpërdrejt aftësitë operacionale, logjistike dhe financiare të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jalisco-s, një organizatë që ka zgjeruar ndikimin dhe pushtetin e saj përtej vendit. Ai shtoi se një “vendosje e menjëhershme e forcave u urdhërua për të përmbajtur reagimet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë publike” që përfshin 130 mijë trupa.
“El Jardinero” ishte konsideruar si një nga pasardhësit e mundshëm të Nemesio Ruben Oseguera Cervantes, i njohur më mirë si “El Mencho”, udhëheqësi i CJNG-së, i cili u vra nga forcat meksikane në shkurt.
Në konferencën për media me Harfuch-in ishin sekretari i Marinës, admirali Raymundo Pedro Morales Angeles, sekretari i Mbrojtjes Kombëtare, Ricardo Trevilla Trejo dhe Guillermo Briseno Lobera, komandanti i Gardës Kombëtare.
Sipas Harfuch-it, Flores Silva ka urdhër arresti të përkohshëm aktiv për ekstradim me akuzat për konspiracion kriminal që lidhet me trafikimin e drogës dhe posedimin e paligjshëm të armëve të zjarrit të lëshuar nga Distrikti i Kolumbias në SHBA.
“Përveç kësaj, në Meksikë, ai ka urdhër arresti të ri për vrasje, së bashku me hetime të tjera të vazhdueshme të udhëhequra nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm”, tha ai.
Në Jalisco, fortesa e CJNG-së ku u ndalua “El Guero Conta”, siguria është përforcuar me forca federale, shtetërore dhe lokale që arrijnë në total gati 4 mijë trupa në zonat e identifikuara me rrezik të lartë, zonat kufitare, autostradat dhe burgjet.
Përveç kësaj, Marina ka vendosur më shumë se 25 mijë oficerë në të gjithë vendin për të parandaluar dhunën nga krimi i organizuar, sipas Morales Angeles.
Forcat plotësohen nga 107 mijë trupa të Gardës Kombëtare të vendosura në të gjithë territorin meksikan.
