
Vetëm 5 minuta zgjati seanca plenare e kësaj të hëne, kur pritej të diskutohej projektligji më i rëndësishëm ekonomik i vitit, “Projekt Buxheti 2024″.
Deputetët e opozitës grumbulluan karriget në foltore, ndërsa janë përplasur fizikisht me disa prej punonjësve të Gardës.
As kontrollet e shtuara në hyrje të Kuvendit nuk i ndaluan deputetët e opozitës të merrnin edhe këtë seancë flakadanët, të cilët i ndezën në nisje të seancës plenare.
Situata u bë më kaotike kur njëri prej flakadanëve mori flakë, i cili u fik nga punonjësit e Gradës, raporton Top Channel.
Deputetët e opozitës kundërshtuan vendosjen e Gardës në Kuvend, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha hyri live në Facebook.
Mes kaosit dhe debateve maxhorancë-opozitë, “Projekt Buxheti 2024” u miratua në parim me 83 vota pro.
Këtyre diskutimeve i kanë paraprirë seanca të tensionuara e kaotike dy muajt e fundit, prodhuar nga ajo çfarë opozita e quan “rezistencë ndaj mos plotësimit të tre kërkesave të tyre”.