Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se Kosova dhe Shqipëria kanë detyrim kombëtar për bashkërendim dhe bashkëveprim po vlerësohet si një mesazh politik dhe strategjik që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve shqiptare.
Sipas analistëve, deklarata mund të interpretohet edhe si një sinjal indirekt për nevojën e harmonizimit më të madh të qëndrimeve ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, por jo si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj lidershipit shqiptar.
Analistët vlerësojnë për ‘Bota sot’ se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri ndikohen nga faktorë të shumtë, përfshirë zhvillimet rajonale, interesat gjeopolitike dhe proceset integruese euroatlantike.
Po ashtu, vlerësohet se dallimet e herëpashershme politike nuk duhet të cenojnë bashkëpunimin shtetëror dhe interesat afatgjata kombëtare.
Sipas analizave, koordinimi në diplomaci, siguri, ekonomi dhe integrime evropiane mbetet interes strategjik për të dyja vendet. Në këtë frymë, deklarata e Kurtit shihet më shumë si një thirrje për unitet dhe përgjegjësi kombëtare sesa si një mesazh për përçarje politike.
Racaj, vlerëson se bashkëpunimi Kosovë–Shqipëri duhet të mbështetet në interesa strategjike afatgjata dhe jo në raportet personale të liderëve politikë
Eksperti i sigurisë dhe çështjeve strategjike, Prof. Dr. Muhamet Racaj, në një prononcim për ‘Bota sot’, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti se Kosova dhe Shqipëria gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera si dy shtete të të njëjtit komb dhe se bashkërendimi ndërmjet tyre është detyrë kombëtare.

Muhamet Racaj
Sipas Racajt, kjo deklaratë duhet parë para së gjithash si një mesazh politik dhe strategjik që synon forcimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Deklarata e kryeministrit Albin Kurti duhet parë para së gjithash si një mesazh politik dhe strategjik që synon forcimin e bashkëpunimit institucional mes dy shteteve shqiptare”, ka thënë Racaj.
Ai ka vlerësuar se deklarata mund të interpretohet edhe si një mesazh indirekt ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të dallimeve që kanë ekzistuar në periudha të caktuara lidhur me zhvillimet rajonale, dialogun Kosovë–Serbi dhe iniciativa të ndryshme politike e ekonomike në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, sipas tij, thelbi i deklaratës nuk lidhet me adresimin e një individi.
“Unë mendoj se thelbi i deklaratës nuk është adresimi i një individi, por riafirmimi i nevojës që Tirana dhe Prishtina të veprojnë në mënyrë të koordinuar për çështjet me interes kombëtar dhe strategjik”, është shprehur ai.
Racaj ka theksuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ndikohen jo vetëm nga faktorët e brendshëm politikë, por edhe nga zhvillimet gjeopolitike në rajon, interesat e aktorëve ndërkombëtarë, proceset integruese euroatlantike dhe sfidat e sigurisë me të cilat përballen të dy shtetet.
Ai ka shtuar se mospërputhjet politike ndërmjet liderëve nuk duhet të shndërrohen në pengesë për bashkëpunimin shtetëror.
Sipas Racajt, Kosova dhe Shqipëria kanë interesa të përbashkëta strategjike në forcimin e sigurisë kombëtare, zhvillimin ekonomik, integrimin evropian dhe koordinimin diplomatik.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve duhet të ndërtohen mbi institucione të qëndrueshme dhe interesa afatgjata kombëtare, e jo të varen nga raportet personale apo dallimet e përkohshme politike ndërmjet liderëve”, ka deklaruar ai.
Në fund, Racaj ka vlerësuar se deklarata e Kurtit duhet kuptuar si një thirrje për më shumë unitet, koordinim dhe përgjegjësi kombëtare.
“Në rrethanat aktuale gjeopolitike, bashkëpunimi i ngushtë Kosovë–Shqipëri nuk është vetëm një nevojë politike, por edhe një domosdoshmëri për stabilitetin, sigurinë dhe avancimin e interesave kombëtare shqiptare”, ka përfunduar Racaj.
Halili vlerëson se mesazhi i kryeministrit Albin Kurti synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe diplomatik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë
Po ashtu, edhe analisti politik Nijazi Halili ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë detyrim kombëtar për bashkërendim dhe bashkëveprim, duke e cilësuar atë si një mesazh që thekson rëndësinë e koordinimit strategjik ndërmjet dy shteteve shqiptare.

Nijazi Halili
Sipas Halilit, deklarata duhet parë para së gjithash në kontekstin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
“Kjo është një porosi politike që synon të theksojë nevojën për koordinim më të madh institucional dhe diplomatik në çështjet me interes kombëtar”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Halili në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka vlerësuar se, duke pasur parasysh dinamikat e viteve të fundit ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, deklarata mund të interpretohet edhe si një mesazh indirekt ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
“Kjo deklaratë mund të interpretohet si një mesazh indirekt për nevojën e harmonizimit më të madh të qëndrimeve politike dhe diplomatike. Nuk mendoj se bëhet fjalë për një kritikë të drejtpërdrejtë, por më shumë për një rikujtim se interesat kombëtare kërkojnë koordinim të vazhdueshëm dhe komunikim të ngushtë ndërmjet dy qeverive”, është shprehur Halili.
Ai ka theksuar se në raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ndikojnë një sërë faktorësh, duke përfshirë dallimet në qasjet politike të liderëve, zhvillimet rajonale, interesat gjeopolitike të aktorëve ndërkombëtarë, proceset integruese evropiane dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, perceptimet e ndryshme për iniciativat rajonale apo për mënyrën e menaxhimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë kanë krijuar herë pas here mospërputhje në qëndrime.
Megjithatë, Halili vlerëson se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbeten të qëndrueshme dhe strategjike.
“Interesi kombëtar i të dyja vendeve kërkon forcimin e bashkëpunimit në diplomaci, ekonomi, siguri dhe integrime euroatlantike”, ka thënë ai.
Në fund, analisti ka theksuar se deklarata e Kurtit duhet interpretuar si një thirrje për unitet dhe koordinim më të madh ndërmjet dy shteteve shqiptare.
“Deklarata e Kurtit duhet parë më shumë si një thirrje për unitet dhe koordinim sesa si një përplasje politike me Tiranën zyrtare”, ka përfunduar Halili për “Bota sot”.
