Lajme

Mesazhet nga protestat për Specialen, dy analistët tregojnë çfarë mund të prodhojnë

Në protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së po përcillen mesazhe të ndryshme, përfshirë edhe thirrje të drejtpërdrejta ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Deputetë, kush s’e mbështet ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Specialen, përballet me popullin!”, është një nga parullat e shfaqura gjatë protestës.

Ndërkohë, në rrjete sociale po qarkullon edhe një letër me mesazhe të ashpra ndaj personave që e konsiderojnë të drejtë gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ku në fund bëhet thirrje: “Poshtë tradhtarët e popullit!”

Lushaj: Në këtë periudhë të ndjeshme, Kosovës i duhet më shumë qetësi, dialog dhe unitet qytetar

Image
Adem Lushaj

Drejtori i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur”, Adem Lushaj, në një përgjigje dhënë “Bota sot”, ka thënë se protestat kundër vendimeve gjyqësore janë të drejta demokratike, dhe se qytetarët mund të kërkojnë ndryshime ligjore.

“Protesta dhe kundërshtimi i një vendimi gjyqësor janë të drejta demokratike. Qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësinë, të kërkojnë drejtësi dhe ndryshime ligjore, ashtu siç kanë të drejtë të mos pajtohen me qëndrime të caktuara. Edhe protestat e fundit kanë shprehur kërkesa të tilla, përfshirë ndryshimin ose shfuqizimin e ligjit për Dhomat e Specializuara”, tha ai.

Lushaj thekson se duhet bërë dallim mes protestës dhe mënyrës së përcjelljes së mesazheve.

Ai vlerëson se përdorimi i shprehjeve si “përballen me popullin” apo etiketimi i deputetëve si “tradhtarë” mund të perceptohet si gjuhë kërcënuese dhe përjashtuese

“Por duhet bërë një dallim i qartë ndërmjet protestës dhe mënyrës se si përcillen mesazhet. Kur përdoren shprehje si “përballen me popullin” apo etiketime si “tradhtarë”, kjo mund të perceptohet si gjuhë kërcënuese dhe përjashtuese. Deputetët mund dhe duhet të kritikohen për qëndrimet e tyre, por nuk duhet të kërcënohen apo etiketohen. Po aq e dëmshme është edhe ndarja e qytetarëve në “me UÇK-në” dhe “kundër UÇK-së”. Të kesh një mendim tjetër për një vendim gjyqësor nuk do të thotë të jesh kundër Kosovës apo kundër luftës së UÇK-së”, deklaroi ai.

Lushaj thotë se Kosovës, në këtë periudhë të ndjeshme, i nevojiten qetësi, dialog dhe unitet qytetar. Ai shprehet se protestat dhe kundërshtimet janë të lejueshme, por pa i trajtuar qytetarët me mendime të ndryshme si “armiq” apo “tradhtarë”.

Sipas tij, duhet pasur kujdes edhe ndaj gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, ndërsa nuk përjashton mundësinë që individë të caktuar të ndikohen ose instrumentalizohen nga qarqe me interesa të ndryshme.

“Në këtë periudhë të ndjeshme, Kosovës i duhet më shumë qetësi, dialog dhe unitet qytetar. Mund të protestojmë, të kundërshtojmë dhe të kërkojmë ndryshime ligjore, por pa e kthyer qytetarin me mendim tjetër në “armik” apo “tradhtar”. Madje, duhet të jemi të kujdesshëm edhe me ata që, përmes gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes, mund të mos i shërbejnë interesit të Kosovës. Nuk mund të përjashtohet as mundësia që individë të tillë të jenë të ndikuar apo të instrumentalizuar nga qarqe me interesa të ndryshme, prandaj edhe më shumë kërkohet maturi dhe përgjegjësi në komunikimin publik.

UÇK-ja dhe sakrifica për lirinë e Kosovës nuk mbrohen duke i ndarë shqiptarët ndërmjet vete, por duke ruajtur dinjitetin, argumentin dhe unitetin e shoqërisë. Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj” – përfunon ai fjalën e tij.

Maloku: Protestat në Prishtinë nuk duhen parë vetëm si reagim spontan ndaj një aktvendimi gjyqësor

Image
Fadil Maloku

Kurse, sociologu dhe profesori universitar, Fadil Maloku vlerëson se protestat mund të shërbejnë për konsolidimin dhe homogjenizimin shoqëror, duke e zbehur synimin e Serbisë për përçarje e polarizim.

Megjithatë, ai paralajmëron se situata mund të sjellë edhe tensione rajonale, ndërsa Serbia mund ta përdorë aktgjykimin e Hagës për të vazhduar kontestimin e shtetësisë së Kosovës.

“Duket që Serbia dhe arkitektët e djallëzuar të Aktgjykimit drakonik të Hagës, që kanë parashikuar, por që, dorën në zemër, edhe kanë punuar me zell për këto gati tri dekada, që të ndodhë një polarizim i skajshëm, po edhe një fragmentim identitar, apo një përçarje e madhe, e ndoshta edhe një skenar apokaliptik në formë të një lufte civile, do të ndahen të zhgënjyer. Sepse, anipse ne si shoqëri, në ndërkohë, ishim të zhytur në deliriumin e vetëkënaqësisë kolektive që e prodhoi akti i shpalljes së pavarësisë, ai i fillimit të procesit të shtendërtimit, protestat që po organizohen aktualisht duket që shpresën e Serbisë për fragmentim, përçarje e polarizim, në gjykimin tim sociologjik, do ta prolongojnë edhe për një kohë. E them kështu edhe për shkak se këto protesta ka shumë gjasa që të mund të konvertohen, midis tjerash, në dy binarë linearë. Binari i parë, që mua po më duket se veç është kah merr formën e një homogjenizimi emocional e kombëtar dhe të një potenciali pozitiv për konsolidim. Dhe binari i dytë, që mund të na çojë në një rrezik potencial për polarizim e tension të shfrenuar rajonal, ku Serbia këtë aktgjykim do ta përdorë në të gjitha forumet vendimmarrëse për të vazhduar më tej kontestimin e shtetësisë”, thekson ai.

Maloku thekson se aktgjykimi mund të ketë pasoja përtej aspektit juridik, duke ndikuar në identitetin kolektiv dhe duke nxitur një narrativë të re mobilizuese.

Sipas tij, protestat në Prishtinë tregojnë se një pjesë e shoqërisë e sheh aktgjykimin si cenim të kujtesës së luftës, çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës.

“Ajo çfarë jam kureshtar ta di dhe kuptoj në këtë rast ka të bëjë me hipotezën se a mundet një aktgjykim (politik) i tillë gjyqësor, përtej dimensionit të tij juridik, të prodhojë pasoja të thella sociologjike mbi shoqërinë e frustruar tashmë kosovare? Dhe a mundet ky aktgjykim i Gjykatës Speciale të Hagës të shndërrohet me lehtësi në një lloj katalizatori të ri homogjenizues kombëtar gjithëshqiptar? Pra, thënë edhe më thjeshtë: a mundet ky aktgjykim të kapërcejë kufijtë e Kosovës dhe të prodhojë një kauzë të re në gjithë hapësirën ballkanike që do t’i përshtatej edhe rendit të ri global që veç ka nisur të vijëzohet me ardhjen e Donald Trumpit në Zyrën Ovale amerikane? Janë këto dilema “hamletiane”, por jo edhe të pamundura, nëse kihet parasysh se dikush konsideron apo ka edhe plane konkrete dhe vlerëson se ka ardhur koha e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare?

Po themi kështu, gjithnjë duke u bazuar në një fakt të ditur sociologjik, se rrethanat sociopolitike, kur bashkëdyzohen me kriza moralo-politike, ato shumë shpejt dinë t’i determinojnë, po edhe përcaktojnë zhvillime dhe procese të caktuara politike, po edhe krijimin e konditave të reja për një narrativë të re mobilizuese, e madje edhe liderë të rinj.

Pyetja jonë, në fakt, nuk është thjesht retorike, sepse protestat që po vazhdojnë pandalur në Prishtinë pas aktgjykimit, në një mënyrë, po tregojnë se kemi të bëjmë me një proces që nuk mund të shpjegohet vetëm me kategoritë e zakonshme të reagimit emocional politik. Ajo që po ndodh, mua po më duket se këtu kemi të bëjmë, midis tjerash, edhe me një narrativë të re, e që po niset si një proces i pakënaqësisë spontane identitare e simbolike, por që po interpretohet nga një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë jo më si dënim drakonik i individëve, por si një ngjarje që prek në thellësi një pjesë të kujtesës kolektive të luftës, të çlirimit dhe të vetë shtetformimit të Kosovës” – shprehet ai për “Bota sot”.

Në fund, Maloku vlerëson se protestat mund të shndërrohen në një lëvizje më të gjerë shoqërore, nëse tejkalojnë interesat partiake dhe grupore. Për të, ato mund të krijojnë një narrativë të re politike, ndërsa nëse mbeten të lidhura me interesa të ngushta, rrezikojnë të shndërrohen vetëm në simbolikë partiake.

“Dhe, nëse bëjmë pyetjen e radhës, se ku qëndron ai paradoksi i parë sociologjik i krejt kësaj arkitekture protestuese? Pra, cilat janë shanset që shoqëria aktgjykimet individuale për secilin veç e veç t’i përjetojë dhe perceptojë si aktgjykim për krejt luftëtarët e UÇK-së? Pra, në këtë ekuacion, ku përgjegjësia individuale juridike fillon të katapultohet apo transferohet në terrenin e një përjetimi më të gjerë kolektiv, ashtu siç po e manifestojnë protestuesit gjatë këtyre ditëve, gjasat për një dinamikë të re dhe një narrativë të munguar opozitare në gjithë këto vite të paraluftës, janë më se reale. Dhe është pikërisht kjo mënyrë e reagimit ajo arsyeja se përse protestat në Prishtinë nuk duhen parë vetëm si reagim spontan ndaj një aktvendimi gjyqësor. Megjithatë, në gjykimin tim, protesta, nëse arrin të “çlirohet” nga prangat e kornizave tradicionale partiake, ajo, në fakt, do të arrijë të krijojë kondita të reja “negociuese”, si me Serbinë, ashtu edhe me qendrat e reja vendimmarrëse që po shihet se kanë marrë si formë, ashtu edhe përmbajtje, tejet dalluese nga ato të pasluftës. Mirëpo, nëse mbetet vetëm rob i interesave klanore, grupore, partiake e ideologjike, e jo edhe interesave strategjike të Republikës, protesta, jam shumë i bindur, që do të mbetet vetëm një ikonografi partiake dhe një folklorizëm i dështuar defrustrues, e asgjë më shumë” – përmbylli ai për gazetën.

Të Ngjashme