Lajme

Meta reagon nga qelia pas heqjes së statusit “non grata” të Berishës

Kreu i Ilir Meta ka reaguar nga paraburgimi pas njoftimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë për heqjen e statusit “non grata” të Sali Berishes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në Facebook, Meta riktheu në vëmendje qëndrimin e tij të vitit 2021, kur ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës dhe reagoi ndaj shpalljes “non grata” të Berishës nga SHBA.

“Nuk i heq dot asnjë presje qëndrimit publik që kam mbajtur pesë vite më parë”, shkruan Meta, duke shtuar se përpjekjet e asaj kohe synonin, sipas tij, “asgjësimin e pluralizmit politik në Shqipëri” dhe dëmtimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së.

Meta iu referua gjithashtu çështjes Charles McGonigal, duke pretenduar se zhvillimet e mëvonshme kanë hedhur dritë mbi rrethanat që, sipas tij, çuan në goditjen e opozitës dhe pluralizmit politik në vend.

Në postimin e tij, ai shpërndau edhe deklaratën e 22 majit 2021, ku si President i Republikës e cilësonte shpalljen “non grata” të Berishës si një veprim të “porositur nga regjimi i kleptokracisë në Tiranë” kundër ish-kryeministrit dhe ish-presidentit demokrat.

Të Ngjashme