Lajme

Ministri Nufi në Kosovë: Në fazë vlerësimi dërgimi i trupave në Gaza!

Shqipëria dhe Kosova janë duke shqyrtuar mundësinë e përfshirjes në një mision ndërkombëtar stabilizues në Gaza, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi gjatë fjalë së mbajtur në konferencën e përbashkët me homologun Ejup Maqedonci bëri të ditur se procesi është në fazë të hershme, ku po analizohen kushtet në terren, vendosja e mundshme e trupave dhe rregullat e angazhimit. Ai theksoi se çdo hap do të bazohet në një vlerësim të përbashkët me Forca e Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, përvoja e mëparshme e Shqipërisë në misione ndërkombëtare, nga Afganistani dhe Iraku, deri te Bosnja dhe Hercegovina dhe dislokimet aktuale në Letonia, shërben si bazë për këtë angazhim të mundshëm.

“Jemi në faza shumë të hershme, akoma duke shqyrtuar dhe vëzhguar territorin ku mund të vendosen trupat tonë. Besojmë që në të ardhmen do të mund të japim një përgjigje të saktë se sa trupa do të shkojnë, ku do të shkojnë, cilat do të jenë rregullat e angazhimit në territor. Shqipëria ka një eksperiencë shumë vjeçare me angazhimin e misioneve ndërkombëtare duke filluar nga Afganistani, Iraku, Bosnja e shumë vende të tjera, kemi trupat tonë në Letoni dhe shumë vende të tjera të botës. Besoj që me angazhimin e përbashkët me FSK-në do të mund të bëjmë një vlerësim të situatës në terren dhe të marrim vendimmarrjen”, tha ai.

Ministri u ndal më tej edhe te siguria në rajon, duke theksuar se Shqipëria ka ngritur në NATO shqetësimin për situatën në Kosova. Ai bëri të ditur se aleanca ka konfirmuar vazhdimin e pandryshuar të pranisë së KFOR në vend.

Ministri shtoi se bashkëpunimi me aleatët mbetet i ngushtë dhe se çështjet e sigurisë, përfshirë zhvillimet që lidhen me Serbia, trajtohen në koordinim të plotë me NATO-n.

“Shqipëria si anëtare e NATO-s, por edhe Kosova për sa kohë ka misionin e KFOR-it këtu dhe avokimin që Qeveria e Kosovës e bën me sigurinë, të gjitha strategjitë e sigurisë i ka në përputhje dhe koordinim të plotë me NATO-n”, tha ai.

Të Ngjashme