Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ka marrë pjesë në panelin e dytë, ku është diskutuar mbrojtja e fëmijëve nga dhuna, me fokus të veçantë në abuzimin përmes platformave digjitale.
Gjatë diskutimit, Ministrja Gërvalla theksoi detyrimin kushtetues të institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve dhe nevojën që legjislacioni penal të përfshijë të gjitha format e shfrytëzimit seksual, përfshirë joshjen dhe manipulimin e fëmijëve përmes internetit, si dhe prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve që paraqesin abuzimin seksual të fëmijëve.
“Legjislacioni penal duhet t’u përgjigjet të gjitha formave të shfrytëzimit seksual, përfshirë joshjen dhe manipulimin e fëmijëve përmes internetit, të njohur si “grooming”. Abuzuesit fitojnë besimin e fëmijëve dhe i manipulojnë gradualisht për t’i përgatitur për abuzim seksual. Nuk mund të presim që abuzimi të ndodhë për të ndërhyrë. Kjo kërkon trajtim në përputhje me standardet e Konventës së Lanzarotes”, tha Ministrja Gërvalla..
Ajo veçoi edhe garancitë e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, përfshirë kufizimin e marrjes në pyetje të fëmijës viktimë në vetëm dy herë dhe përdorimin e deklaratave të regjistruara me video si prova.
“Si fushë konkrete të bashkëpunimit rajonal propozoj trajnime të përbashkëta për intervistimin e fëmijëve dhe përdorimin e dëshmive, për të siguruar prova të besueshme dhe për të shmangur ritraumatizimin e tyre”, deklaroi Ministrja Gërvalla.
Ministrja Gërvalla theksoi gjithashtu rëndësinë e mekanizmave të qasshëm të raportimit dhe bashkërendimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë, shërbimeve sociale dhe institucioneve shëndetësore.
“Përgjegjësia jonë është të sigurojmë që legjislacioni penal t’u përgjigjet metodave gjithnjë në ndryshim të abuzimit dhe që mbrojtja e fëmijëve të garantohet në praktikë. Për këtë, bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm”, tha Ministrja Gërvalla.
