Aktuale

Ministrja tregon zonat ku janë apartamentet 60 mijë euro për të rinjtë: Pastaj le ta shesin, të blejnë një më të madh

Ministrja e Ekonomisë Delina Ibrahimaj, pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, foli për programin e ri të strehimit, i cili synon t’u japë mijëra të rinjve mundësinë për të blerë një apartament përmes kredive me zero për qind interes.

Sipas programit, do të jepen 2 mijë kredi për apartamente me vlerë deri në 60 mijë euro. Por, në një kohë kur çmimet e pronave në Tiranë kanë arritur çmime në “stratosferë”, pyetja që iu bë minsitres nga gazetarët ishte: “se ku ndodhen apartamentet që përfshihen në këtë fashë çmimi?”

Ibrahimaj bëri të ditur se këto apartamente gjenden kryesisht në periferi të Tiranës dhe janë të një sipërfaqeje të vogël, duke i konsideruar më të përshtatshme për të rinjtë që sapo kanë nisur jetën e tyre të pavarur.

Sipas ministres, programi synon t’u krijojë të rinjve mundësinë të kenë një banesë në pronësi dhe njëkohësisht të qëndrojnë pranë zonave ku punojnë. Ajo theksoi se ky model është i përhapur edhe në vende të tjera, ku të rinjtë nisin me një apartament më të vogël dhe me kalimin e kohës, e zëvendësojnë atë me një banesë më të madhe.

“Në fakt nuk do hyjë në fuqi në 2027, paketa ligjore do miratohet në fillim të tetorit të vitit aktual, thirrjet do hapen po gjatë vitit aktual, duke qenë se ka një proces administrativ ne patjetër fituesit do t’i shpallim në fillim të 2027. Në programin e PS në zgjedhjet e kaluara kemi pasur një fokus te strehimi, strehimi ka qenë një çështjet që meritonte më shumë fokus, ndaj mund t’i referoheni programit të PS, zgjedhje ka çdo dy vjet e s’do të thotë kjo që t’i lidhim me programet elektorale. Ndërkohë që për pyetjen tuaj a ka agzistencë, po, ka në periferi të Tiranës, janë apartamente që janë të sipërfaqeve të vogla, nuk janë sipërfaqe që i dedikohen familjeve të mëdha, prandaj thashë që do t’i dedikohet ky program atyre të rinjve që duan të jetojnë pranë vendit të tyre të punës dhe duan të nisin jetën e tyre duke pasur në pronësi një apartament. Kjo ndodh në të gjitha vendet e botës. Pastaj e ble, e shet e kështu ble një të madh e me radhë”, tha Ibrahimaj, duke hedhur poshtë kështu edhe aludimet se kjo nismë e qeverisë është ndërmarrë si pasojë e fushatës elektorale, duke qenë se zgjedhjet lokale do të jenë vitin e ardhshëm.

Të Ngjashme