Luan Gacaferi, anëtar i GUXO, Luan Gacaferi, anëtar i GUXO, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK i cili ka thënë se “ose marrëveshje për presidentin ose zgjedhje të reja”, duke theksuar se procesi zgjedhor nuk mund të përdoret për “rikuperim egoje të lënduar”.
Ai ka deklaruar se populli ka folur qartë dhe se humbja e LDK ishte politike, jo teknike. Sipas tij, zgjedhjet e njëpasnjëshme rrezikojnë stabilitetin institucional, dëmtojnë ekonominë dhe lodhin qytetarët, ndërsa demokracia funksionon vetëm me respektim të rezultatit.
Megjithatë, Gacaferi shton se nëse shteti shantazhohet politikisht, atëherë duhet të shkohet në zgjedhje për t’i larguar njëherë e përgjithmonë nga skena politike ata që, sipas tij, destabilizojnë vendin.
Shkrimi i tij i plotë:
Zgjedhjet nuk janë lodër për të rikuperuar ego të lënduara!
Nuk mund të kërkosh zgjedhje të reja çdo dy muaj vetëm sepse rezultati nuk të pëlqeu. Populli foli, qartë, pastër dhe pa ekuivoke. Humbja ishte e thellë dhe politike, dhe nuk ishte thjesht një humbje teknike!
Zgjedhjet e njëpasnjëshme nuk janë shfaqje televizive, ato rrezikojnë stabilitetin institucional, dëmtojnë ekonominë, trembin investitorët dhe lodhin qytetarët!
Shteti nuk mund të mbahet peng nga ambicia e atyre që nuk pajtohen me verdiktin e votës. Demokracia nuk funksionon me “provoje edhe një herë deri sa të dal mirë unë”
Demokracia funksionon me respekt ndaj rezultatit.
Kur humb kaq thellë, përgjegjësia është reflektimi e jo destabilizimi. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe punë, jo për cikël të pafund zgjedhjesh vetëm për të larë një humbje politike!
Por sidoqoftë shteti po edhe qytetarët e Kosovës nuk duhet kurrë të lejojnë që të shantazhohen nga njerëzit si ky me probleme të theksuara narcisiste. Prandaj sado të lodhshme e të kushtueshme të jenë zgjedhjet duhet të shkohet në zgjedhje për t’i hequr nga skena politike njëherë e përgjithmonë ata të cilët shantazhojnë shtetin dhe qytetarët e vet!
