Veprimtari i LDK-së, Saim Tahiraj për “Bota sot” ka komentuar situatën që po ndodh brenda Lidhjes Dekomratike të Kosovës.
Ai ka thënë se situata brenda partisë mbetet e paqartë pas nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve.
Gjithashtu ka vlerësuar se kjo është një e drejtë demokratike, por ka ngritur shqetësimin se largimi i Lumir Abdixhikut pa një figurë unifikuese dhe alternativë serioze mund të sjellë pasoja të mëdha për LDK-në.
“Situata politike brenda LDK-së mbetet ende e paqartë dhe se si do të zhvillohen ngjarjet mbetet për t’u parë. Mbledhja e nënshkrimeve dhe dorëzimi i tyre janë një e drejtë demokratike dhe zhvillohen brenda normave statutare.
Megjithatë, një çështje mbetet e paqartë: a kanë menduar mbledhësit e nënshkrimeve se kush mund të jetë figura unifikuese që do ta drejtojë LDK-në? Nëse këtë nuk e kanë menduar, atëherë largimi i z. Abdixhiku, pa një alternativë serioze dhe unifikuese, do të ishte vetëm një aventurë e rrezikshme me pasoja të mëdha për LDK-në.
Po ta supozojmë se Kuvendi i LDK-së voton për largimin e z. Abdixhiku, ndërsa nuk paraqitet një kandidat serioz dhe unifikues, atëherë do të hapet rruga për propozime nga grupe të ndryshme interesi. Nëse ndonjë prej tyre do të fitonte, pasojat mund të ishin edhe më të dëmshme për LDK-në”, theksoi ai.

Saim Tahiraj
Tahiraj ka bërë thirrje që nënshkruesit ta mendojnë me kujdes hapin e tyre, duke theksuar se zgjidhja për LDK-në nuk është vetëm largimi i Abdixhikut, por gjetja e një figure autoritative që mund ta bashkojë dhe rikthejë besimin në parti. Ai ka thënë se kjo do të vlerësohet në Kuvendin e Jashtëzakonshëm.
“Prandaj, mbledhësit e nënshkrimeve duhet ta mendojnë mirë këtë hap dhe të mos ndërmarrin aventura të tilla të rrezikshme. Zgjidhja serioze dhe shpresëdhënëse nuk është vetëm largimi i z. Abdixhiku, por mbi të gjitha zgjedhja e një figure autoritative, me kredibilitet politik dhe moral, e cila do të arrijë ta unifikojë LDK-në dhe t’ia rikthejë forcën e besimin.
Se kush do të jetë kjo figurë mbetet të shihet në Kuvendin e Jashtëzakonshëm. Atëherë do të kuptohet nëse ata që e kanë nisur këtë proces të vështirë, por të domosdoshëm, do të jenë në gjendje të ofrojnë një alternativë që bashkon LDK-në dhe i hap asaj një perspektivë të re”, nënvizoi ai.
