Lajme

“Mos shko në Shqipëri”, detaje të reja për 20-vjeçarin e vrarë në Ksamil

Vrasja e 20-vjeçarit Luis Miguel Mendes në Shqipëri ka tronditur komunitetin në Nicë të Francës, ku ai ishte rritur dhe njihej me nofkën “Milton”.

Mendes ishte zhvendosur në Nicë që në moshën 11-vjeçare dhe, sipas njerëzve që e njihnin, ishte bërë një figurë e respektuar mes të rinjve të lagjes Gambetta.

Christophe Tassano, drejtor i përgjithshëm i shoqatës “La Semeuse”, e ka përshkruar 20-vjeçarin si një person që përpiqej të shmangte konfliktet dhe të qetësonte situatat e tensionuara.

“Miltoni i ri ishte shumë i dashur dhe shumë i respektuar në lagje. Ai kishte një rol si ndërmjetës”, ka thënë Tassano për “Nice-Matin”.

Sipas medias franceze, udhëtimi drejt Shqipërisë nuk kishte qenë pjesë e planit fillestar të Mendes dhe miqve të tij. Ata kishin planifikuar një udhëtim drejt Spanjës, por për shkak të vonesave në organizim vendosën të udhëtonin fillimisht në Shqipëri me shpenzimet e tyre.

Pas vrasjes, strukturat sociale në Nicë janë mobilizuar për të mbështetur familjen dhe miqtë e të riut.

Familja e Mendes po përballet edhe me kostot e riatdhesimit të trupit, procedurat ligjore dhe nevojën për asistencë juridike në Shqipëri.

Për këtë arsye është hapur një fushatë për mbledhjen e fondeve, ku sipas “Nice-Matin”, deri të premten ishin siguruar më shumë se 6 mijë e 300 euro.

Të Ngjashme