Kryeministri Albin Kurti nuk ka hequr dorë nga synimi për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe krijimin e Fondit Sovran, por realizimi i këtij premtimi po përballet me pengesa juridike dhe pikëpyetje për zbatueshmërinë në praktikë.
Këtë synim Kurti ia ka shprehur edhe drejtorit të AKP-së, Hekuran Nikqi, gjatë një takimi të zhvilluar ditë më parë.
Sipas Kurtit, mungesa e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese ka pamundësuar hyrjen në fuqi të ligjit për Fondin Sovran, i cili është dërguar për vlerësim kushtetues nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Përfaqësuesi ligjor i këtyre dy partive, avokati Faton Fetahu, është i bindur se ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Në thelb, është çështje e mbrojtjes së rendit kushtetues dhe e përcaktimit të rregullave mbi të cilat duhet të funksionojë ekonomia e Kosovës. Në kërkesën tonë kemi argumentuar se 11 nene të këtij ligji janë në kundërshtim me së paku shtatë nene të Kushtetutës. Këto pretendime i kemi mbështetur në argumente konkrete juridike dhe ekonomike, të cilat presim që Gjykata t’i shqyrtojë në tërësi”, ka deklaruar Fetahu.
Ai e ka cilësuar shqetësuese pritjen për një vendim, duke pasur parasysh se kanë kaluar gati tre vjet nga paraqitja e çështjes.
“E kuptojmë se Gjykata Kushtetuese ka pavarësinë e saj në përcaktimin e ritmit të shqyrtimit të lëndëve, por rëndësia e kësaj çështjeje kërkon që vendimi të merret pa vonesa të mëtejshme”, ka theksuar Fetahu.
Për këtë çështje, Tëvë1 ka dërguar pyetje në Gjykatën Kushtetuese, por deri në raportimin e lajmit nuk ka pranuar përgjigje.
Ekonomistët dhe përfaqësuesit e biznesit dyshojnë në realizimin e premtimit
Përtej pengesave kushtetuese, pikëpyetje ngrihen edhe për mundësinë e shuarjes së AKP-së dhe efektet që krijimi i Fondit Sovran mund të ketë në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
Ekonomisti Fidan Qerimi vlerëson se shuarja e AKP-së nuk është në kompetencën e Qeverisë që të realizohet në mënyrë të njëanshme. Sipas tij, krijimi i Fondit Sovran ka qenë një synim që nga fillimi i qeverisjes së Kurtit, por ai dyshon se do të konkretizohet.
“AKP-në nuk është në gjendje Qeveria ta shuajë. Krijimi i këtij Fondi është që nga fillimi i qeverisjes së z. Kurtit, por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk besoj që do të ndodhë. Është një premtim dhe një dëshirë e tij, por në aspektin praktik nuk mendoj që do të realizohet. Edhe nëse realizohet, vetëm do ta komplikojë vendimmarrjen dhe menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe proceset në ekonomi. Është një hap drejt burokracisë më të lartë”, është shprehur Qerimi.
Edhe Kushtrim Ahmeti nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë shpreh dyshime për realizimin e këtij synimi. Ai thekson se ekzistojnë ndërlidhje juridike dhe çështje të pazgjidhura që e bëjnë të vështirë shuarjen e Agjencisë.
“Unë dyshoj shumë që AKP-ja mund të shuhet, sepse ka një ndërlidhje me Rezolutën 1244 dhe, derisa ajo është në fuqi, është mjaft problematike. Edhe AKP-ja duhet të funksionojë për shkak të borxheve të vjetra”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka shprehur gjithashtu shqetësime për mënyrën se si do të funksiononte Fondi Sovran në rrethanat aktuale, duke vënë në pikëpyetje nëse ky mekanizëm do të sillte përmirësim në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.
Sipas tij, ndërmarrjet publike vazhdojnë të përballen me probleme menaxheriale, ndërsa qeveritë e pasluftës nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësimin e funksionimit të tyre.
Cilat ndërmarrje do të përfshiheshin në Fondin Sovran?
Fondi Sovran është konceptuar si një institucion investues dhe zhvillimor, që synon të marrë në menaxhim ndërmarrjet publike me karakter komercial, përfshirë Trepçën, KEK-un, Postën, Telekomin, Infrakosin dhe Trainkosin.
Në kuadër të këtij koncepti parashihet edhe përfshirja e aseteve me potencial zhvillimor që aktualisht administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Megjithatë, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e ardhmja e ligjit dhe e projektit për Fondin Sovran mbetet e paqartë. Përplasjet juridike dhe rezervat e ekspertëve e lënë të hapur çështjen nëse ky premtim i Qeverisë Kurti do të shndërrohet në realitet.
