Deputeti i VV-së thotë se deklarata e nënkryetarit të LDK-së krijon përshtypjen se ende mund të ketë dilema për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Rrustemi rikujton vitin 2020, kur Qeveria e Avdullah Hotit lejoi mbajtjen e tyre.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës, duke e akuzuar klasën politike që përfaqëson Haziri për qëndrime të ndryshme kur është në pushtet dhe kur ndodhet në opozitë.
Haziri është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke theksuar se vendi duhet të vazhdojë procesin e çmontimit të strukturave të mbetura të institucioneve serbe. Megjithatë, Rrustemi vlerëson se një deklaratë e tillë nuk është e nevojshme, pasi, sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk përbën më një mundësi.
Në një postim në Facebook, deputeti i VV-së ka rikujtuar periudhën para ardhjes së kësaj partie në pushtet, kur, sipas tij, zgjedhjet e Serbisë mbaheshin në Kosovë si një praktikë normale.
“Lutfi Haziri i LDK-së paska thënë: ‘Serbia nuk duhet të mbajë zgjedhje në Kosovë’. Ky është një nga rastet kur ndryshimi i realitetit politik nga një qeveri tjetër e bën krejtësisht të pakuptimtë një deklaratë të tillë. Deri para ardhjes së VV-së në pushtet dhe kur Haziri apo partia e tij qeveriste, zgjedhjet e Serbisë mbaheshin në Kosovë si diçka krejt normale”, ka shkruar Rrustemi.
Ai ka theksuar se, sipas tij, deklarimi i Hazirit krijon përshtypjen se ende ekziston dilema nëse zgjedhjet e Serbisë duhet të mbahen në Kosovë.
“Sot askujt nuk i shkon në mend se mund të mbahen zgjedhjet e Serbisë këtu. Madje, një deklaratë e tillë, sado kundër zgjedhjeve, e krijon përshtypjen sikur ka dilema nëse duhet të mbahen apo jo. Jo, nuk do të mbahen dhe pikërisht sepse nuk do të mbahen, as nuk na shkon mendja për t’u deklaruar”, ka deklaruar ai.
Rrustemi ka pretenduar se, po të varej nga Lutfi Haziri dhe klasa politike që ai përfaqëson, zgjedhjet e Serbisë do të vazhdonin të mbaheshin në Kosovë, ndërsa VV-ja do të ishte në pozitën e kritikuesit të kësaj praktike.
“Ju kujtohet viti 2020, kur një nga vendimet e para të Avdullah Hotit ishte lejimi i zgjedhjeve të Serbisë. Kur ishin në pushtet, i lejonin; kur ne i ndaluam, nuk na përkrahën; kur kaluan disa vite dhe e panë se bën të ndalohen, dalin e thonë se nuk duhet të mbahen”, ka shkruar deputeti i VV-së.
Ndërkohë, Lutfi Haziri ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë largimin e strukturave të mbetura të institucioneve të Serbisë dhe të ish-Jugosllavisë, duke nënvizuar se të gjithë qytetarët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të integrohen në institucionet e Republikës së Kosovës.
“Natyrisht që jo, në asnjë mënyrë. Ka fragmente të institucioneve të Serbisë në Kosovë, ka fosile dhe mbetje, por çmontimi i institucioneve të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë ka filluar dhe ka ndodhur më 12 qershor 1999. Krejt ato mbetje që na kanë përcjellë si problem janë çështje kohe dhe janë larguar, edhe kanë për t’u larguar tërësisht”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se prioritet duhet të jetë garantimi i të drejtave të çdo qytetari të Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tij.
Serbia pritet të mbajë zgjedhje më 25 tetor. Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, që nga viti 2021, nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës. Ndërkohë, ditë më parë, në veri të vendit është ndaluar edhe zhvillimi i fushatave zgjedhore serbe.
