Ministri i Financave, Hekuran Murati, në seancën e fundit para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, u është adresuar qytetarëve të Kosovës.
Në fjalën e tij, Murati ka kritikuar mungesën e deputetëve opozitarë në Kuvend, duke e cilësuar atë si mungesë përfaqësimi dhe përgjegjësie ndaj votuesve.
Murati i ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast se vendi shkon në zgjedhje të reja, të kërkojnë llogaridhënie nga deputetët që, sipas tij, nuk po e ushtrojnë mandatin e tyre në Kuvend.
“Në ditën më të rëndësishme, kur deputetët që kanë marrë besimin e qytetarëve, pra deputetët e opozitës do të duhej të ishin këtu dhe ta përçonin atë besim, ne nuk i kemi. Ulëset e tyre janë të zbrazëta dhe ata nuk e përfaqësojnë qytetarin që i ka votuar.Pra, të gjithë ju qytetarë që keni dhënë votën për ata deputetë, të cilët sot nuk po ju përfaqësojnë me mungesën këtu, duke sabotuar Republikën e Kosovës dhe duke e çuar vendin në zgjedhje të evitueshme dhe të panevojshme, duhet t’i pyesni ata, sidomos nëse po shkojmë në zgjedhje dhe ata vijnë përsëri t’ua kërkojnë votën-pse t’ju votojmë ju? Nëse këta deputetë nuk po ju përfaqësojnë, cila është arsyeja pse duhet të vijnë e të kërkojnë votë dhe ju t’i votoni? Nëse ata po e bojkotojnë Kuvendin dhe po e sabotojnë Republikën, duke e detyruar vendin të shkojë në zgjedhje edhe njëherë, sepse kanë vendosur të mos respektohet vullneti i popullit nga zgjedhjet e sapombajtura, atëherë do të duhej ta kishin edhe përgjigjen tuaj”, ka thënë ai.
