Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se gjatë qëndrimit të tij në New York është takuar me homologun nga Grenada, Dennis Cornwall.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Murati ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në shkëmbimin e përvojave në fushën e diplomacisë.
Sipas Muratit, në takim është diskutuar edhe mundësia e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e financave publike dhe digjitalizimit.
“Gjatë qëndrimit në New York, kisha nderin që në Konsullatën tonë të pres në takim z. Dennis Cornwall, Ministrin e Financave nga Grenada”, ka shkruar Murati.
Ai ka bërë të ditur se me homologun e tij nga Grenada kanë diskutuar edhe për sfidat në zbatimin e reformave të nisura në të dyja vendet.
Në fund të takimit, sipas ministrit Murati, palët janë dakorduar që diskutimet të vazhdojnë edhe në nivel teknik, me synim zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
