Aktuale

Nafta dhe benzina më shtrenjtë? Rezerva strategjike ja sa mund të shtojë

Krijimi i rezervës së sigurisë me naftë bruto, diesel dhe benzinë pritet të shtojë deri në 6.1 lekë për litër çmimin final të shitjes së karburanteve, sipas përllogaritjeve të operatorëve të importit dhe tregtimit në vend.

Efekti llogaritet nga financimi për blerjen e stokut të rezervës strategjike me naftë të papërpunuar dhe kostot e ruajtjes së nënprodukteve të saj, përfshirë diesel dhe benzinë.

Projektligji “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, i miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe i dërguar për shqyrtim në Kuvend, parashikon krijimin gradual të një sasie rezerve prej 238 mijë ton, sasi që korrespondon me rreth 90 ditë importe.

Sipas operatorëve, vetëm financimi i krijimit të rezervës strategjike, të naftës të papërpunuar do të shtojë rreth 3.6 lekë për litër (me TVSH) çmimin final të karburanteve nga tarifa prej 3 lekë për litër që do të paguhet prej operatorëve.

Ndërkohë kostot për rezervën tregtare (nënprodukte të naftës), përfshirë kostot e blerjes, infrastrukturës, sigurisë dhe mirëmbajtjes, vlerësohet sipas llogaritjeve të operatorëve të tregut do të shtojnë edhe me 2.5 lekë për litër të tjera çmimin final të shitjes.Në total, kostoja shtesë llogaritet të arrijë në 6.1 lekë për litër, e cila do të reflektohet në çmimet e naftës dhe benzinës së shitjes me pakicë.

Projektligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave, që është dërguar për miratim Kuvendit të Shqipërisë përcakton krijimin e rezervës së hidrokarbureve me një sasi prej 238 mijë ton që është ekuivalente me sasinë për 90 ditë importe. Kjo rezervë pritet të krijohet për një periudhë 5-vjeçare, ku parashikohet që çdo vit të blihet një sasi prej 43 mijë deri 49 mijë ton produkte, përfshirë naftë të papërpunuar, benzinë, diesel, karburant për avionët etj.

Për blerjen dhe depozitimin e saj qeveria parashikon që kostot financiare ta mbulojë nëpërmjet tarifës me një nivel të supozuar prej 3 lekë për litër që do të paguhet nga kompanitë.

Në total nga kompanitë nëpërmjet tarifës vlera e se cilës është e supozuar, pasi niveli i saj do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave parashikohet të arkëtohen 3.4 deri 3.6 mld lekë apo rreth 40 mln euro në vit. Për 5 vite të krijimit të plotë të stokut të rezervës kostoja llogaritet rreth 200 mln euro.

Efektet në rritjen e çmimit final të shitjes për konsumatorin nga vendosja e tarifës janë pranuar edhe nga qeveria.

Në relacionin e projektligjit “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e naftës bruto dhe nënprodukteve të saj”, theksohet se me qëllim financimin e krijimit, mbajtjes dhe menaxhimit të rezervave të sigurisë së naftës dhe nënprodukteve të saj, është parashikuar dhe vendosja e një tarife për këtë qëllim.

Ad
Sipas relacionit, tarifat e krijimit dhe mbajtjes së rezervës së sigurisë, që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure, që i nënshtrohet detyrimit për pagimin e taksës së akcizës, në përputhje me ligjin nr.61/2012, datë 24.5.2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, çdo vit.

“Të gjitha këto aktivitete do të shoqërohen me kosto shtesë për sektorin publik për mbulimin e shpenzimeve për krijimin, ruajtjen, mirëmbajtjen, inspektimin e rezervave të sigurisë, si dhe për aktivitetet e tjera të rregullta të autoritetit.

Sigurimi i fondeve do të kërkojë, ndër të tjera, vendosjen e tarifës që do të aplikohet mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure. Kjo do të sjellë rritje të vlerës në zinxhirin e ngarkesës financiare dhe rezultatin final të çmimit të shitjes te konsumatori”, përcaktohet në relacion.

Përveç kostos shtesë që krijon operatorët vijojnë ta konsiderojnë vendosjen e një taksë të fshehte antikushtetuese, pasi është propozuar pa asnjë konsultim me grupet e interesit dhe niveli i saj nuk i kalon për miratim Kuvendit.

Ndërkohë opozita nëpërmjet një amendamenti të propozuar nga deputeti Enno Bozdo ka kërkuar ndryshime në projektligji. Në amendament është propozuar që kostot për krijimin dhe financimin të rezervës të përballohen nga buxheti shtetit.

Po ashtu vendosja e tarifës dhe kostove për mirëmbajtjen e rezervës, propozohen në kulmin e çmimeve për karburantet, e ndikuar nga rritja e çmimeve në bursa dhe barra e rëndë fiskale që ka çmimi në Shqipëri.

Aktualisht nafta në vend është e ngarkuar më disa taksa dhe tarifa, përfshirë TVSH, akcizë, taksën e qarkullimit, taksë karboni, tarifën e skanimit, taksat bashkiake, tarifën e rilicensimit.

Në çmimin final të naftës barra e taksave zë 53% të atij apo në vlerë llogaritet të jetë 90 deri 100 lekë të çmimit final. Krahasuar me shtetet e rajonit, vendi ynë ka barrën më të lartë fiskale për naftën.

Në shtetet si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Kosovë mbi çmimin e shumicës së naftës llogaritet vetëm akciza dhe TVSH-ja.

Të Ngjashme