Lajme

Nagavci: LDK nuk na e solli listën me nënshkrime

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci tha se LDK nuk i ka ofruar nënshkrimet për kandidatin për president, as asaj e as kryeministrit Albin Kurti.

Ajo i bëri thirrje përsëri opozitës që të marrin pjesë në seancë.

LVV ka edhe një thirrje për opozitën

“Do të bëjë edhe një thirrje për opozitën. Jemi dëshmitarë që edhe deputetë të opozitës janë shumica prej tyre në kuvend dhe i bëjmë thirrje që të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm dhe t’i ofrojmë vendit presidenten dhe të vazhdojmë tutje punën duke shmangur edhe një palë zgjedhje të reja. Kemi parë dje kryetarin e LDK që prezantoi një listë me nënshkrime ndonëse pa një emër specifik, por e vërteta është që ato nënshkrime mesa jam në njohuri nuk i janë ofruar as kryeministrit Kurti e as mua si shefe e grupit në mënyrë që të bashkëngjitëm nënshkrimet e deputetëve tanë dhe nuk ka asnjë lëvizje përtej një deklarate”, tha Nagavci.

Nagavci tha se procesi i votimit të fshehtë lejon mundësinë që deri në përmbyllje të saj të marrin pjesë të gjithë deputetët, e për këtë sipas saj nuk është antikushtetuese.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci u pyet edhe për mesazhin e deputetit Naim Bardiqi, i cili kishte thënë “do t’i hymë karate”.

Nagavci flet për deklaratën e Bardiqit

“Seanca është ftuar me 40 nënshkrime kemi qenë 61 deputetë ndërkohë që procesi i votimit me votë të fshehtë e lejon mundësinë që deri në përmbyllje të procesit të marrin pjesë të gjithë deputetët që janë të interesuar. Konsideroj që përtej fajësimit e rëndësishme është të gjejmë zgjidhjen. Nuk pajtohem me deklarata individuale, është gabim një qasje e tillë, si grup parlamentar I kemi qëndrimet publike dhe që i marrim si grup. Asnjë deputet në diskutime nuk ka pasur ndonjë vlerësim të tillë. Gjuha e tillë nuk është e duhura dhe nuk i bën nder një deputeti”, tha Nagavci.

Ndryshe, seanca e orës 10:00 është shtyrë për në ora 14:00, njoftoi kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu duke i bërë thirrje opozitës që të marrin pjesë. 

Të Ngjashme