Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

NATO-ja mirëpret vendosjen e ushtarëve turq në Kosovë

Komanda e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli e cila i shërben Aleancës së NATO-s përmes përgatitjes, planifikimit dhe kryerjes së operacioneve ushtarake, e ka mirëpritur vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in.

 

JFC Napoli ka shkruar në Twitter se po monitoron nga afër situatën dhe se KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

“Mirëpresim vendosjen e Batalionit Rezervë Operacional të Turqisë në Kosovë për ta përforcuar KFOR-in. JFC Napoli po monitoron nga afër situatën dhe KFOR-i mbetet i përkushtuar në ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.

Në vazhdën e tensioneve në veri të Kosovës, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Turqisë njoftoi të shtunën se me kërkesë të Komandës së Forcës së Përbashkët të NATO-s, është caktuar një batalion komando dhe se kanë filluar përgatitjet për transferimin e ushtarëve turq në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë deri më 5 qershor.

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria lidhur me zhvillimet në Kosovë, thuhet se Turqia vazhdon të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global në kuadër të misioneve të OKB-së, NATO-s, BE-së dhe OSBE-së dhe marrëdhënieve bilaterale.