Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ndalen ndihmat jetike teksa Gaza ngel pa sisteme komunikimi

Sistemet e komunikimit në Rripin e Gazës kanë mbetur jashtë funksionit që nga e enjtja, teksa mungesa e karburanteve ka pamundësuar energjinë për operimin e internetit dhe të rrjeteve të telefonisë, duke i detyruar agjencitë e ndihmave që të ndalin dërgesat ndërkufitare të furnizimeve humanitare, teksa kanë paralajmëruar se njerëzit së shpejti mund të vdesin nga uria.

Izraeli është futur më thellë në Qytetin e Gazës, ndërsa trupat e tij kanë kërkuar nëpër spitalin më të madh të Gazës, Shifa, për gjurmë të një qendre komanduese të grupit radikal palestinez, Hamas – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – që ushtria izraelite pohon se ndodhej nën ndërtesë.

Ajo ka publikuar pamje që ka thënë se shfaqin hyrjen e një tuneli, si dhe një grumbull armësh të gjetura në një kamion brenda spitalit, por jo edhe dëshmi për qendrën komanduese, që Hamasi dhe stafi i Shifas kanë mohuar se ekziston.

Lufta, tani në javën e saj të gjashtë, është nxitur nga sulmi i 7 tetorit që luftëtarët e Hamasit e kryen në jug të Izraelit, në të cilin sulmuesit e grupit palestinez vranë mbi 1.200 persona, kryesisht civilë, dhe morën peng rreth 240 burra, gra e fëmijë.

Gaza tani po pranon vetëm 10 për qind të furnizimeve të nevojshme ushqimore në ditë, ndërsa dehidrimi dhe uria po rriten, teksa gati të gjithë nga 2.3 milionë banorët e territorit kanë nevojë për ushqim, ka thënë Abeer Etefa, zëdhënëse rajonale për Lindjen e Mesme e Programit Botëror të Ushqimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Njerëzit po përballen me rrezikun e afërt të vdekjes nga uria”, është shprehur ajo nga Kajro.

Teksa pak kamionë po futen në Gazë, ndërsa karburantet për shpërndarjen e ushqimit po mungojnë, “nuk ka mënyrë për t’i përmbushur nevojat aktuale të urisë”, ka thënë Etefa, të enjten.

“Sistemet ekzistuese të ushqimit në Gazë praktikisht po përballen me kolaps”.

Rënia nga sistemi e rrjetit të komunikimeve, që është kritik për koordinimin e dërgesave të ndihmave, nënkupton përkeqësim të mëtejmë të gjendjes. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, ka thënë se asnjë dërgesë ndihmash nuk mund të futet të premten në jugun e Gazës nga Egjipti.

“Kemi parë se si karburantet, dhe ushqimi, dhe uji, dhe ndihma humanitare përdoren si armë lufte”, është shprehur zëdhënësja e agjencisë, Juliette Touma.

Karburantet nevojiten për gjeneratorët që mbajnë në funksion sistemet e komunikimit urgjent, spitalet, fabrikat e shkripëzimit të ujit dhe infrastrukturën tjetër kritike në Gazë.

Izraeli ka ndaluar dërgesat e karburanteve në Gazë që nga fillimi i luftës, por ka lejuar një dërgesë të kufizuar për UNRWA-në më parë këtë javë, që të përdoret për kamionët që bëjnë dërgesa të ushqimit, pasi rezervuari i karburanteve i agjencisë u shter.

Touma ka thënë se është “e tmerrshme se si agjencitë humanitare po detyrohen të lusin për karburante”/rel