“Në 2 natës vendosa tritolin”/ Laert Haxhiu refuzon përballjen me shokun e tij “pentito”, Tafani rrëfen atentatet e grupit criminal
Laert Haxhiu, i njohur si i forti i Lushnjes, ka refuzuar të përballet me Artan Tafanin, ushtarin e bandës së tij, i cili u bë bashkëpunëtor i drejtësisë në GJKKO. Haxhiu ka refuzuar të paraqitet në GJKKO, në senacën ku prokurori Behar Dibra ka thirrur si dëhsmitar Tafanin, i cili ka shpjeguar para gjykatës njohjen me të fortin e Lushnjës dhe disa prej episodeve krimianale që ka kryer me urdhër të Haxhiut.
Seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiu në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar në mungesë të të pandehurit, i cili nuk është paraqitur për t’u përballur me ish-bashkëpunëtorin e tij të kthyer në të penduar. Gjatë seancës, Tafani ka dhënë një dëshmi të detajuar mbi njohjen me Haxhiun dhe veprimtarinë kriminale, duke e rrëfyer në mënyrë të drejtpërdrejtë para trupit gjykues. Ai ka rrëfyer se në takimin e parë, Haxhiu ishte i informuar për të kaluarën e tij kriminale dhe e kishte pyetur drejtpërdrejt “se çfarë dinte të bënte”. “Me Laertin jam njohur nga një çun nga Lushnja. Jemi takuar në Dajt nëpërmjet Lulzim Arapit, ai ma ka prezantuar. Laerti më ka thënë ‘ça di të bësh’, pasi ai kishte marrë informacionet që unë kisha bërë vjedhje me dhunë.
Herën e parë më ka dhënë 1 mijë euro. Më ka kërkuar Laerti t’i vendos një sasi tritoli në një banesë në Lushnje, në pronësi të Erjon Çokut. Për këtë ngjarje kam taku Laertin dhe më ka thënë se çfarë duhet të bëj. Tritolin e kisha unë, ma kishte dhënë Sajmir Krasniqi. Më ka dhënë Laerti 100 euro sa për lek xhepi. Nga Korça shkova direkt në Lushnje dhe nga ora 2-3 e natës shkoj e ve tritolin dhe kthehem prapë në shpi”, ka thënë ai.
Në dëshminë e tij, Tafani ka dhënë edhe motive të mundshme të konfliktit, duke deklaruar se Erjon Çoku ishte i përfshirë në shitje heroine dhe kishte pasur borxhe ndaj Haxhiut. Ai shtoi gjithashtu se njihte viktimën për shkak të së kaluarës së tij si përdorues droge. “Në atë kohë flisja me Laertin dhe i thashë çfarë veprimesh bëra. Erjon Çoku ishte një person që shiste heroinë dhe e njihja se isha përdorues. Ky i kishte marrë Laertit mallin dhe nuk i kishte dhënë lekët. Besnik Çoku është vëllai i Erjonit, rrinte jashtë shtetit. Ishte hera e parë që e bëja një gjë të tillë”, është shprehur Tafani.
Krimet e rrëfyera nga Tafani si pentito i drejtësisë
Artan alias Marius Tafani, është ish ushtari i Laert Haxhiut, kundërshtar i përbetuar i Aldo Bares dhe anëtarët e bandës së tij famëkeqe. Tafani pranoi të bashkëpunojë me SPAK, pas arrestimit në shtator të 2023, pas grabitjes me armë të një pike këmbimi valutor në zonën e Astirit. Ai rrëfeu të paktën 17 episode kriminale të bandës së drejtuar nga Laert Haxhiu, të cilin e thërrisnin me nofkat “Alufi” dhe “Filja”. Haxhiu u ekstradua disa kohë më parë nga Greqia dhe po përballet me drejtësinë, ku rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm.
Të pandehur në proces janë:
Lulzim Spahija (Arapi)
Artan (Marius) Tafani
Ligor Romacka
Bledar Berberi
Erisiano Abedini
Mariglen Topuzi
Enriko Xhahysa
Bujar Abedin
Idriz Manej
Në rrëfimin e tij, Tafani pranoi se ka qenë përdorues droge dhe se ka pasur probleme me ligjin. “Kam qenë emigrant në Greqi, jam marrë me drogë. Atje kisha probleme. Kur u ktheva në Shqipëri në 2015, rashë në burg për vjedhje. Dënimin e vuajta në burgun e Rrogozhinës dhe Kosovë të Lushnjes”, tha Tafani. I penduari i drejtësisë deklaroi se pas vrasjes së babait në fshatin Karbunarë, në 1997, bashkë me nënën u larguan në drejtim të Greqisë, ku fillimisht punoi në biznesin e familjes dhe bënte punë të ndershme, duke lyer e riparuar shtëpi.
“Në vitin 2006 u ktheva në Lushnjë nga Greqia dhe punova me xhaxhain në ndërtim. Lashë drogën. Më pas u ngatërrova sërish dhe rashë në burg në vitin 2015. Vodha një “Western Union. U arrestova dhe u dënova me 6 vite burgim. Gjatë kësaj kohe u njoha me disa çuna nga Lushnja. Erdhi një Lulzim Spahiu, pas ngjarjes ku u plagos Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, dhe arma u gjet te stani i babait të Laert Haxhiut, Qamil Haxhiu”, tha Tafani. I penduari tregoi se pas daljes nga burgu i dërgoi fjalë Klajdi Taullau dhe më tha se donte ta takonte Lulzimi, pasi donte të bënte ndonjë punë me mall.
“U takuam te Palma Nova me Laert Haxhiun, ishte hera e parë që e takoja. Anterio Kaloshin e kam pasur në burg në Rrogozhinë. Për Laertin kisha dëgjuar vetëm në lajme. Shkuam me të në Dajt, u ulëm në një restorant. Laerti më mori jashtë dhe më tha: hajde flasim pak jashtë. Atë natë qëndruam në Dajt. Morëm një suitë. Unë u tremba pak. Laerti më tha: do bëjmë ndonjë punë, do të ndihmoj unë me ndonjë mall. Mesa duket e dinte që isha keq me lekët. Të nesërmen Laerti dhe Ligori ikën për Korçë.
Unë u takova me Klajdin dhe Lulzimin dhe ikëm në Lushnjë. Rrugës më dhanë 500 euro, 500 të tjera mi dhanë pas 2-3 ditësh. Në një takim tjetër më thanë të vendosja një tritol në Lushnjë, pasi i kishin dhënë mall njërit dhe ky s’i kishte dhënë lekët. Donin t’ia bënin në formë presioni. Thashë dakord. Që nga dita e parë që i takova kishte një lloj presioni mbi mua, s’di si ta shpjegoj.
Rrugës, kur zbritëm, Laerti më dha 100 euro për shpenzime nafte. E kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit dhe u nisëm për Lushnjë për të vendosur tritolin. Vendosa 100 gram tritol në derën e banesës në katin e parë në një pallat. Ndeza fitilin dhe ika. Isha në këmbë dhe kalova shinat e trenit. Planin e kisha bërë me Laertin. M’u duk sikur kjo ishte prova që këta të shikonin bëja punë unë apo jo”, ka treguar i penduari.
