Presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi marrëveshjen me Danimarkën dhe Grenlandën që synon forcimin e sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut, duke lehtësuar tensionet për shkak të thirrjeve të tij të përsëritura që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Nënshkrimi të martën, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, vjen disa ditë pasi Trump njoftoi marrëveshjen për të forcuar praninë ushtarake amerikane në ishullin e madh të akullt, por për ta mbajtur atë nën kontrollin danez.
Qeveritë kanë dhënë pak detaje të marrëveshjes para nënshkrimit.
Kryeministri i Grenlandës Jens-Frederik Nielsen tha në ceremoninë e nënshkrimit se “marrëveshja merr parasysh popullin e Grenlandës, të drejtat tona, jetesën tonë dhe zhvillimin e vendit tonë”.
Nielsen tha se kjo ishte një përparësi kyçe për Grenlandën gjatë gjithë procesit, i cili u shënua nga tensionet mbi planet e Trumpit mbi territorin gjysmëautonom të Danimarkës.
Presidenti amerikan gjatë fjalimit në Asamble tha se marrëveshja – e cila do të nënshkruhet më vonë të martën – do të thotë “ne do të fillojmë menjëherë procesin e zhvillimit të një pranie të madhe ushtarake në vendet e duhura”, duke përfshirë “ndërtimin e dy bazave shumë të mëdha ushtarake”.
SHBA-të kishin tashmë një prani të madhe ushtarake në Grenlandë. Por Trump tha se SHBA-të do të “zgjerojnë gjurmën e Amerikës në Arktik dhe Atlantikun e Veriut”.
Për muaj të tërë , Trump ka shprehur dëshirën e tij që Grenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe ka lëshuar kërcënime për sekuestrimin e territorit gjysmëautonom nga Danimarka, një aleate e NATO-s.
