Lajme

Nesër protestë kombëtare në Shqipëri

Të shtunën një protestë kombëtare është paralajmëruar përpara Kryeministrisë në Shqipëri.

Protestuesit po kërkojnë largimin e Edi Ramës. Ata i ftuan qytetarët nga i gjithë vendi t’i bashkohen tubimit të radhës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë shqiptarët. Të gjithë të shtunën më datë 27 qershor kemi protestën e radhës kombëtare. Ftojmë shqiptarët nga të gjitha qytetet të bashkohen në mënyrë masive për të treguar forcën e popullit shqiptar. Mos harroni se kur Shqipëria administrative është mirë, është më mirë edhe Kosova dhe Ilirida. Ne nuk jemi këtu për ta dorëzuar shtetin shqiptar, por për ta bërë më të mirë. Data 27 qershor është protestë kombëtare për t’ju thënë këtyre se ju erdhi fundi”, thanë ata.

Organizatorët deklaruan se tubimi i së shtunës do të shënojë një fazë të re të lëvizjes qytetare. Ata u kërkuan pjesëmarrësve që të angazhohen për të sjellë sa më shumë qytetarë në Tiranë, duke e konsideruar protestën si një moment vendimtar për vijimin e kauzës së tyre.

Në fjalimet e mbajtura para protestuesve u theksua se mobilizimi nuk duhet të kufizohet vetëm në kryeqytet, por duhet të përfshijë qytetarë nga çdo cep i vendit. Organizatorët i ftuan të gjithë ata që mbështesin kërkesat e protestës të marrin pjesë në tubim, duke e cilësuar atë si një shprehje të pakënaqësisë qytetare dhe një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve.

Sipas tyre, protesta e 27 qershorit synon të jetë më e madhja e organizuar deri më tani, me pjesëmarrje nga qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u bë apel që gjithçka të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe me respekt ndaj rendit publik.

Prej 26 ditësh, qytetarët protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe duke kundërshtuar politikat e qeverisë. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar marshime në rrugët kryesore të kryeqytetit, janë mbajtur fjalime dhe janë artikuluar kërkesa për ndryshime politike.

Organizatorët kanë bërë të qartë se protestat nuk do të ndalen dhe se protesta mbarëkombëtare e 27 qershorit shihet prej tyre si një moment kyç për zgjerimin e pjesëmarrjes qytetare. Ata kanë theksuar se synimi është vijimi i protestave deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Të Ngjashme