Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nesër seanca në Apelin e GJKKO, çfarë ndodh nëse Berisha nuk paraqitet sërish

Ditën e nesërme në orën 09:00 pritet të mbahet seanca gjyqësore në Apelin e GJKKO për ish-kryeministrin Sali Berisha. Në këtë seancë pritet që Apeli të vendosë për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit të vendit, lidhur me hetimet për dosjen “Partizani”, vendim i ankimuar nga dy avokatët e tij.

Berisha do duhet të paraqitet në orën 10:00 sipas urdhëresës, në SPAK, teksa kujtojmë se në seancën e parë, ai nuk pranoi që të shkonte.

Në rast se Berisha nuk paraqitet edhe nesër, mbetet për t’u parë pasi të gjitha opsionet janë të hapura, në varësi të vendimit të Apelit, i cili mund të lerë në fuqi vendimin ‘detyrim paraqitje’ apo ta rrëzojë atë.

Sipas juristëve, nëse Apeli pranon ankimimin e avokatëve dhe rrëzon masën e sigurisë, atëherë thirrja e Berishës në orën 10:00 në SPAK bëhet e pavlefshme.

Ndërkohë, nëse Apeli lë në fuqi vendimin ndaj tij, dhe ish-kryeministri nuk paraqitet, atëherë SPAK ka të drejtë të kërkojë ashpërsim mase, por që kjo të ndodhë, do duhet të kërkojë autorizim në Kuvend.