Nën intonimin e himnit amerikan dhe mes një ceremonie simbolike të mbushur me mesazhe mirënjohjeje, flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ngrit të shtunën në shtizën e Xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”, në Prishtinë, në shënim të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së. Për të katërtin vit me radhë, ky akt u organizua si shprehje falënderimi për mbështetjen historike amerikane ndaj Kosovës.
Ceremonia nisi me intonimin e himnit amerikan, ndërsa më pas flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u ngrit nga imami i Xhamisë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”, Labinot Maliqi. Ai tha se ngritja e flamurit amerikan në oborrin e xhamisë tashmë është bërë një traditë, e cila shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Maliqi: Ngritja e flamurit amerikan në oborrin e xhamisë, shprehje e sinqertë mirënjohjeje
“Sot është një ditë e veçantë. Për të katërtën vit radhazi, në oborrin e kësaj xhamie po ngremë flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtizë për të shënuar Ditën e Pavarësisë së saj. Ky nuk është thjesht një akt ceremonial, është një gjest protokollar, është një shprehje e sinqertë mirënjohjeje. Sot Amerika kremton 250-vjetorin e pavarësisë. Një jubile historik që na kujton lindjen e një shteti të ndërtuar mbi një parim të madh: se njeriu ka dinjitet, se liria është e shenjtë dhe se të drejtat themelore nuk burojnë nga pushteti i njerëzve, por ato burojnë nga Krijuesi i Madhërishëm”, tha Maliqi.
Ai theksoi se një nga shtyllat kryesore mbi të cilat u ndërtuan Shtetet e Bashkuara është liria e besimit dhe e ndërgjegjes, duke shtuar se populli i Kosovës e kupton më së miri vlerën e lirisë dhe të një aleati të sinqertë.
Maliqi: Vlerat më të çmuara mbi të cilat u ndërtua Amerika është liria e fesë
“Një nga vlerat më të çmuara mbi të cilat u ndërtua Amerika është liria e fesë dhe e ndërgjegjes. Themeluesit e saj e kuptuan se besimi nuk mund të imponohet me forcë dhe se njeriu duhet të jetë i lirë ta kërkojë të vërtetën me bindje, me arsye dhe me ndërgjegje. Si popull që kemi përjetuar luftën, padrejtësinë dhe mungesën e lirisë, ne e dimë më mirë se sa e shtrenjtë është liria dhe sa shumë vlen një mik i vërtetë në ditët më të vështira”, u shpreh ai.
Në fund të ceremonisë, Maliqi tha se ngritja e flamurit amerikan në shtizën e xhamisë është dëshmi e mirënjohjes së Kosovës ndaj SHBA-së, duke e cilësuar falënderimin si një vlerë që buron edhe nga mësimet fetare.
Maliqi: Feja jonë na mëson se mirënjohja është virtyt shumë i madh
“Feja jonë na mëson se mirënjohja është virtyt shumë i madh. Profeti Muhamed, lavdatat dhe bekimet e Zotit qofshin për të, na ka lënë një mësim të përjetshëm, i cili thotë: “Kush nuk i falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar Zotin.” Sot, përmes kësaj ceremonie modeste, por me domethënie shumë të madhe, ne e vëmë në jetë pikërisht këtë mësim. Ne falënderojmë një mik të madh, duke mos harruar se burimi i çdo mirësie është prej Zotit të madhëruar dhe se Atij i takon falënderimi më i lartë. Prandaj sot, nga oborri i kësaj xhamie në Prishtinë, themi me respekt, me zemër dhe me mirënjohje: Faleminderit, Amerikë! Faleminderit për miqësinë e qëndrueshme! Faleminderit për mbështetjen e palëkundur! Faleminderit për kontributin historik në lirinë, paqen dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës!”, deklaroi Maliqi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot Ditën e Pavarësisë. 4 Korriku shënon 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
