Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Gjilan. Ata dyshohen për përfshirje në vepra të ndryshme penale, përfshirë ngacmimin seksual, kontrollimin e kundërligjshëm dhe keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në rastin e parë, IPK ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, pas dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Sipas njoftimit të IPK-së, rasti dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë.
Bazuar në pretendimet e ankueses, ajo ishte duke drejtuar veturën kur është ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë. Më pas, sipas ankesës, policët i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.
Lidhur me këtë rast, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara. IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar pretendimet e ngritura, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.
Dy policë në Gjilan dyshohen për keqpërdorim të detyrës
Në rastin e dytë, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, të cilët dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, në Gjilan. Zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare, ku, sipas pretendimeve, ndaj tij është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia.
Po ashtu, dyshohet se policët ia kanë marrë telefonin qytetarit pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
IPK bën të ditur se dyshimet fillestare mund të ndërlidhen me një ankesë të parashtruar nga i njëjti qytetar në korrik të vitit 2026, kundër zyrtarëve policorë në fjalë, nën dyshimin për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
Inspektorati Policor i Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të ushtrojë mandatin e tij ligjor për hetimin e dyshimeve për veprime të kundërligjshme nga zyrtarët policorë, me qëllim të sigurimit të llogaridhënies dhe forcimit të integritetit në Policinë e Kosovës.
Rekomandimet për suspendim janë masa të ndërmarra në kuadër të procedurave hetimore dhe nuk paraqesin vendim përfundimtar mbi përgjegjësinë penale të zyrtarëve të dyshuar.
