Lajme

Haxhiu nderon Idriz Rrecajn: Sakrifica e tij për Kosovën nuk do të harrohet kurrë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në nderim të Idriz Rrecajt, i cili pas një pritjeje të gjatë dhe të dhimbshme nga familja, tashmë prehet në paqe pranë të dashurve të tij, në Skenderaj.

Përmes një mesazhi përkujtimor, Haxhiu ka vlerësuar jetën dhe veprën e Idriz Rrecajt, duke theksuar kontributin e tij atdhetar dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

Idriz Rrecaj ishte njëri nga anëtarët e “Grupit të Intelektualëve”, grup i atdhetarëve që, sipas Haxhiut, e donin vendin dhe gëzonin respekt në rrethin ku vepronin. Ajo ka theksuar se anëtarët e këtij grupi u shënjestruan nga forcat serbe, me qëllim të zhdukjes së tyre dhe të çdo gjurme që lidhej me ta.

Megjithatë, kujtimi për ta nuk u shua. Pas gjetjes së eshtrave, Idriz Rrecaj është kthyer në tokën për të cilën dha jetën, duke u rivarrosur në vendlindjen e tij, në Skenderaj.

Postim i plotë:

Sot bëmë homazhe dhe nderuam Idriz Rrecajn, që pas një pritjeje të gjatë e plot dhimbje, tash prehet në paqe pranë familjes së tij dhe në Skenderajn, që e ruajti me krenari emrin e tij.

Idriz Rrecaj ishte një nga anëtarët e “Grupit të Intelektualëve”, atdhetarë që e donin vendin dhe fjala e të cilëve peshonte në rrethin e tyre. Pikërisht për këtë forcat serbe i shënjestruan, për t’i zhdukur e për t’ua shuar çdo gjurmë. Por kujtimi për ta nuk u shua. Eshtrat e Idrizit u gjetën, dhe sot ai kthehet në tokën për të cilën dha jetën.

Sakrifica e Idrizit dhe e veprimtarëve të “Grupit të Intelektualëve” për një Kosovë të lirë, që e shkruan vetë fatin e saj, nuk do të harrohet kurrë.

Gjetja dhe rivarrimi i tij janë një hap drejt drejtësisë dhe një ngushëllim për familjen që e priti gjithë këto vite. Megjithatë, plaga mbetet e hapur për sa kohë ka ende familje që presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre. Kërkimi për të zhdukurit me dhunë do të vazhdojë derisa të mësohet e vërteta për secilin prej tyre.

Lavdi jetës dhe veprës së heroit Idriz Rrecaj! Qoftë i përjetshëm kujtimi për të

 

Të Ngjashme