Prej ditësh, rrugët e Tiranës janë mbushur me qytetarë që po kërkojnë ndryshime të thella në politikën shqiptare dhe një qasje të re në qeverisjen e vendit.
Protestat e vazhdueshme kanë nxjerrë në pah pakënaqësinë e akumuluar ndaj institucioneve dhe mënyrës së drejtimit të shtetit, duke u shndërruar në një nga zhvillimet më të rëndësishme politike të kohëve të fundit.
Në këtë kontekst, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehu, ka deklaruar se protestat kanë krijuar një realitet të ri politik, ku qytetarët po vendosin standarde dhe rregulla të reja për çdo qeveri që do të vijë pas Edi Ramës.
“Dhe pas këtyre protestave ka një para dhe një pas. Ka një para protestës, ku ju mendonit se mund të bëni çfarë të donit dhe ka një pas, që nuk vlen vetëm për ju në fakt, vlen për të gjithë ata që do të qeverisin nesër. Ju nuk qeverisni më, koha juaj ka mbaruar. Kjo protestë nuk është vetëm për ju, por për të gjithë ata që mendojnë se do të ulen në atë karrige dhe mund të bëjnë çfarë t’u dojë qejfi. Për ata po bëhet protesta, jo vetëm për Edi Ramën. Edi Rama ka mbaruar. Shqiptarët kanë mbaruar punë me Edi Ramën”, është shprehur Shehu.
Kurse, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se protestat në Tiranë po shndërrohen në një simbol të pakënaqësisë qytetare ndaj qeverisjes dhe në një shprehje të kërkesës për ndryshim politik.
Sipas tyre, pjesëmarrja e të rinjve ka rikthyer shpresën për angazhim qytetar dhe debat publik, ndërsa protesta po shihet si një sfidë ndaj modelit aktual të qeverisjes.
Ata theksojnë se pavarësisht entuziazmit dhe mbështetjes që ka fituar, protesta përballet edhe me sfida që lidhen me organizimin, qartësinë e objektivave dhe ruajtjen e mbështetjes qytetare në vazhdimësi.
Vata: Protestat në Tiranë janë përballje mes së shkuarës dhe së ardhmes

Ilir Vata
Në një prononcim për “Bota sot”, analisti politik, Ilir Vata ka deklaruar se protestat që po zhvillohen në Tiranë përfaqësojnë një përballje të drejtpërdrejtë mes politikës së vjetër dhe brezit që kërkon ndryshim.
“Mendoj se protesta e të rinjve po shfaqet si një përballje mes dy gjeneratave: asaj të politikës së vjetër dhe asaj që përfaqëson të ardhmen. Ne që u ngritëm kundër diktaturës nuk arritëm të ndërtonim demokracinë që ëndërruam; sollëm lirinë, por jo një shtet plotësisht demokratik. Sot, ajo liri ka dalë në shesh për t’u përballur me të shkuarën.
Për 35 vite, politika e vjetër ka ndërtuar një shtet hibrid dhe jo një demokraci funksionale. Shqipëria ende nuk e ka zgjidhur çështjen e pronave; vazhdon të jetë në fuqi ligji 7501. Shqiptarët nuk gëzojnë siguri të plotë juridike mbi pronën, ndërsa në Veri ky ligj nuk është njohur asnjëherë. Edhe paketa e maleve po shihet si një burim i ri konfliktesh. Problemet kanë nisur të shfaqen nga Velipoja deri në Zvërnec.
Po ashtu, vendi nuk ka arritur të përballet si duhet me të shkuarën diktatoriale. Ende ka mijëra varre të pagjetura të viktimave të komunizmit dhe reminishencat e diktaturës vazhdojnë të jenë të pranishme. Ka ende njerëz që kanë qenë pjesë e persekutimit politik dhe e gjyqeve të asaj kohe, të cilët sot ushtrojnë funksione në sistemin e drejtësisë.
Problemet sociale janë po aq të mëdha. Shqiptarët mbeten ndër më të varfrit në Europë. Legalizimet janë përdorur shpesh si instrument elektoral dhe shumë qytetarë ende nuk kanë marrë certifikatat e pronësisë. Pensionistët përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Korrupsioni, krimi i organizuar dhe pastrimi i parave mbeten plagë të hapura. Të rinjtë kërkojnë demokraci reale, sepse janë lodhur duke parë emigrimin si të vetmen rrugëdalje”, ka thënë ai.
Duke folur për ndikimin e protestave në skenën politike, Vata ka theksuar se ato po krijojnë një frymë të re shprese për qytetarët.
“Këto protesta kanë një impakt të madh social dhe emocional. Ato po shihen si një shpresë dhe si një mundësi reale për ndryshim. Në thelb janë protesta politike, pasi kërkohet dorëheqja e qeverisë dhe largimi i politikës së vjetër, të identifikuar nga shumë qytetarë me binomin Rama-Berisha.
Ato karakterizohen nga organizim i mirë, zhvillohen në mënyrë paqësore dhe policia ka mbajtur një rol vëzhgues. Ka shumë hamendësime mbi organizatorët, por në thelb kjo mbetet një përplasje brezash: mes së shkuarës dhe së ardhmes.
Nëse protesta vazhdon dhe arrin objektivat e saj, ajo mund të konsiderohet ndryshimi më i madh politik dhe shoqëror që nga lëvizja studentore e viteve ’90 dhe rrëzimi i diktaturës”, ka vlerësuar ai.
Tutje, Vata ka paralajmëruar se suksesi i protestave do të varet nga aftësia për të ruajtur pjesëmarrjen dhe presionin qytetar.
“Protesta ka hyrë në ditën e saj të pesëmbëdhjetë dhe mijëra qytetarë kanë dalë në shesh. Megjithatë, kjo mund të mos mjaftojë. Për të ushtruar presion real ndaj qeverisë, nevojitet një pjesëmarrje shumë më e madhe.
Nëse gjithçka vazhdon me ritmin aktual – protesto dhe më pas kthehu në shtëpi – ekziston rreziku që energjia e saj të zbehet. Nga ana tjetër, nuk ekziston një mekanizëm juridik që vetëm përmes protestës të rrëzojë një qeveri”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.
Shahu: Protestuesit janë dallëndyshe shprese për një pranverë të re politike

Rexhep Shahu
Ndërsa, njohësin e çështjeve politike, Rexhep Shahu për “Bota sot”, ka cilësuar se protesta po shpreh pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Shahu ka akuzuar qeverisjen 13-vjeçare për keqmenaxhim, grabitje të pasurive publike dhe mashtrim të qytetarëve.
“Një baba po thërriste ‘Rama ik’ në protestë. Fëmija në supet e babait e pyeti: ‘Kush është Rama, ku është?’ Thirrja pa zë, por që jehon është: kërkohet një kryeministër që flet pak, që kërkon ndjesë, që anulon vendimet e këqija.
Kjo më duket se është thirrja që po e artikulojnë pa zë njerëzit që janë derdhur në bulevardin e madh të Tiranës. Kjo është arsyeja madhore që i ka nxjerrë këta njerëz të bukur në shesh. Protestuesit, apo më saktë manifestuesit, e zgjuan Shqipërinë dhe i zgjuan ëndrrat e rinisë.
Shqipëria sot ndihet e grabitur nga segmente mafioze me bekimin e kësaj qeverie. Bregdeti po zaptohet, ndërsa edhe rëra dhe uji i detit po grabiten nga njerëz të dyshimtë. Ka 13 vjet që qeverisja po shkon keq dhe vendi po grabitet nga një grup i vogël. Kryeministri dhe njerëzit e tij kanë gënjyer”, është shprehur ai.
Më tej, ai ka vlerësuar se protesta ka krijuar shpresë, por ende nuk ka arritur të kristalizojë plotësisht objektivat e saj politike.
“Protesta në Tiranë është e bukur në dukje, por duket si një lumë që nuk po gjen udhën. Protesta është veprim politik, por duan ta shesin si apolitike. Nuk po konkludohet në një zgjidhje të qartë.
Megjithatë, protesta ka ndezur shpresë dhe na tregon se këtu nuk ka vetëm pensionistë apo njerëz të dorëzuar, por edhe qytetarë që nuk e durojnë poshtërimin. Protesta u ndez nga një shkëndijë dhe flaka nuk po shuhet.
Gjithë kohën protesta ka ecur nëpër mina. Rinia, prej vrullit dhe energjisë, nuk i sheh ato. Minat ndaj protestës u shfaqën përmes parullave të ndryshme nacionaliste dhe përmes njerëzve që, sipas meje, po përpiqen ta minojnë atë nga brenda”, ka shtuar publicisti.
Sipas tij, një prej rreziqeve kryesore është barazimi i figurave politike dhe krijimi i narrativave që dëmtojnë vetë protestën.
“Njerëz të dëshpëruar nga qeverisja 13-vjeçare e Ramës kanë barazuar Ramën me Berishën. Në 35 vjet po dëgjojmë të thuhet se nuk është bërë asgjë në këtë vend. Mjafton vetë liria për të dalë në shesh dhe për të protestuar që ta rrëzojë këtë pretendim.
Edhe kjo është një minë që i vendoset protestës. Entuziazmi i shfrenuar nuk e garanton suksesin e saj. Ky është aktivitet politik dhe nga çasti në çast mund të kalojë në përplasje. Për këtë arsye, askush nuk duhet të përdorë fëmijët si mburojë në protesta politike kundër qeverisë”, ka thënë ai.
Duke bërë krahasime me protesta të mëparshme në Shqipëri, Shahu ka kujtuar figura dhe ngjarje që, sipas tij, kanë lënë gjurmë në historinë politike të vendit.
“Protestuesit aktualë në Tiranë janë njerëzit më të bukur sot, janë dallëndyshe shprese për një pranverë të vërtetë politike, por nuk duhet që oratorët e saj të sillen si shenjtorë.
Ky vend ka njohur legjenda protestash dhe energji të mëdha qytetare. Kujtoni Pjetër Arbnorin, studentët, protestat e mëdha opozitare dhe përplasjet që kanë shënuar historinë e tranzicionit shqiptar.
Duket se po përballohet presioni qeveritar dhe po kristalizohet kërkesa kryesore: largimi i kryeministrit aktual. Nuk mund të pranohet ideja se fati dhe e ardhmja e shqiptarëve varen nga një njeri i vetëm”, ka vlerësuar ai.
Në fund, publicisti i ka bërë thirrje qeverisë që të dialogojë me protestuesit dhe të mos i shpërfillë kërkesat e tyre.
“Protesta vazhdon në shesh dhe kryeministri duhet të ulet e të gjejë dakordësi me njerëzit, jo t’i shpërfillë apo t’i përqeshë. Duhet të bindet se nuk është më i zgjuari, më i dituri dhe më i zoti.
Është zgjuar një rini që do ta largojë Ramën nëse ai nuk bisedon me të. Nuk e do Rama më shumë Shqipërinë sesa të rinjtë që nuk duan të largohen nga ky vend.
Shpresoj që qëndresa e protestës të mos zbehet, të mos ketë urrejtje, por të kundërshtohet me themel ky model qeverisës që konsiderohet mafioz dhe grabitqar. U shtofshin protestuesit vitalë që japin shpresë për të ardhmen”, ka përfunduar Shahu për “Bota sot”.
