Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të 18 gushtit 2026 në Ksamil, ku humbi jetën turisti portugez, Luis Miguel Varela Mendes.
Së fundmi është publikuar edhe fotografia e 20-vjeçarit.
Sipas të dhënave të hetimit, pas ngjarjes janë shoqëruar 41 persona, ndërsa 11 shtetas janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Autori i dyshuar i vrasjes, 29-vjeçari Sokrat Vata, i identifikuar në dosje edhe me inicialet S. L./S. V., me origjinë nga Hasi, u arrestua pak orë pas krimit.
Kapja e tij u realizua pas koordinimit mes strukturave të Policisë së Sarandës, Vlorës dhe Fierit. Vata u gjet në zonën e Levanit, teksa dyshohet se po tentonte të largohej.
Sipas Policisë, ai u kap i fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga dy shtetas turq.
Për këtë arsye, E. P., 31 vjeçe, dhe N. M., 38 vjeç, u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Si nisi konflikti
Sipas dosjes hetimore, konflikti ka nisur rreth orës 05:15 brenda ambienteve të lokalit “Principote” dhe më pas është zhvendosur në plazhin e lokalit fqinj, “Paradise”, ku situata është përshkallëzuar deri në përdorimin e një arme të ftohtë.
I dyshuari i arrestuar Sokrat Vata, tha se konflikti nisi pasi turisti me disa francezë po shkaktonin zhurmë në resort pas një nate feste mes muzikës e alkoolit.
Përpara se të merrte goditjen fatale, turisti portugez dyshohet se është dhunuar edhe nga një tjetër person, D. H., i cili aktualisht është në kërkim, si dhe nga katër kamarierë të lokalit.
Një tjetër element i evidentuar nga hetimet lidhet me personelin e sigurisë së lokalit.
Sipas referimit të akuzës, në rolin e truprojave punonin edhe persona me funksione shtetërore, konkretisht një punonjës policie në Gjirokastër, një punonjës i burgut të Fierit dhe një punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Hetuesit dyshojnë se ata nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe, pas ngjarjes, nuk njoftuan Policinë e Shtetit.
Çfarë ndodhi
Luis Miguel Varela Mendes u vra në Ksamil dy ditë pasi kishte mbërritur për pushime, zbardhet dinamika e konfliktit
Luis Miguel Varela Mendes, 21-vjeçari me shtetësi portugeze dhe banim në Francë, humbi jetën në orët e para të 18 gushtit në Ksamil, vetëm dy ditë pasi kishte mbërritur në Shqipëri për pushime me një grup miqsh.
I riu kishte ardhur më 16 gusht së bashku me tetë miq nga Franca, shumica të së njëjtës moshë. Grupi kishte planifikuar të qëndronte disa ditë në jug të Shqipërisë dhe më 26 gusht të vijonte pushimet drejt Spanjës.
Mbrëmjen e 17 gushtit, të rinjtë kishin shkuar në një festë me DJ francezë në klubin e kompleksit “Principote” në Ksamil. Pas disa orësh, ata dolën nga lokali dhe, sipas dëshmive të mbledhura nga policia, mes disa prej të pranishmëve nisi një debat verbal.
Në këtë situatë ndërhynë dy punonjës të kompleksit, David Heurtevent, shqiptar me shtetësi britanike, dhe Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata, të dy 29 vjeç. Ata dyshohet se u kërkuan turistëve të ulnin zërin, ndërsa debati më pas u përshkallëzua.
Sipas hetimeve, Heurtevent dyshohet se goditi fillimisht në kokë 21-vjeçarin portugez. Më pas, Sokrat Vata dyshohet se e goditi me thikë. Mendes mbeti i plagosur rëndë dhe humbi jetën në vendngjarje, në zonën e plazhit pranë klubit.
Pas krimit, Sokrat Vata u largua nga Ksamili. Ai u arrestua më vonë në zonën e Levanit, ku policia e gjeti të fshehur në bagazhin e një automjeti ku ndodheshin shtetasit turq Nuh Mahmutoglu dhe Ezgi Perlak.
Sipas burimeve hetimore, Vata i njihte dy shtetasit turq pasi ata kishin qenë klientë të rregullt të kompleksit në Ksamil. Hetuesit po verifikojnë gjithashtu dyshimet se ai mund t’u ketë ofruar para për ta transportuar drejt Tiranës.
Gjatë marrjes në pyetje, Vata ka pranuar se konflikti kishte nisur për shkak të zhurmës, por ka dhënë një version tjetër për armën e krimit. Sipas deklarimit të tij, thikën e kishte fillimisht viktima dhe ai pretendon se ia mori nga dora përpara se ta godiste. Ky version mbetet pjesë e hetimeve dhe po verifikohet nga autoritetet.
Në dosje janë përfshirë edhe katër kamerierë të kompleksit, të cilët u arrestuan. Sipas të dhënave hetimore, ata ndërhynë në konflikt pasi panë të përfshirë dy punonjësit e tjerë, por u larguan përpara momentit kur 21-vjeçari u godit me thikë.
Miqtë që shoqëronin viktimën kanë dhënë dëshmi të hollësishme për policinë mbi dinamikën e konfliktit.
Në pranga përfunduan edhe katër persona që kryenin funksione sigurie në kompleks: Miosid Matushaj, punonjës policie në Gjirokastër; Luciano Seferi, punonjës i burgut të Fierit; Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër; si dhe Kristi Koshi.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe nuk njoftuan Policinë pas ngjarjes. Për personat që mbanin funksione publike janë marrë gjithashtu masa pezullimi nga detyra.
Në ambientet e lokalit në momentin e ngjarjes ndodhej edhe pronari i kompleksit, Bekim Bulica. Sipas dosjes hetimore, ai është larguar nga vendi pa e kallëzuar ngjarjen në polici.
Ndërkohë, Davidi Heurtevent është shpallur në kërkim, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësinë penale të secilit prej personave të përfshirë.
Dy persona në kërkim
Përveç personave të arrestuar, në kërkim janë shpallur D. H., 29 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim, si dhe pronari i lokalit “Principote”, B. B., 36 vjeç, i cili dyshohet se është larguar pa raportuar ngjarjen.
Autori i dyshuar dhe bashkëpunëtori i tij akuzohen për “Vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim”.
Ndaj pjesëtarëve të stafit dhe pronarit rëndon akuza e “Moskallëzimit të krimit”, ndërsa për punonjësin e Policisë është ngritur edhe akuza për “Mosmarrjen e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprime të mëtejshme.
Personat që hetohen nga policia nën dyshimet se janë përfshirë në ngjarje
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
Ervis Bunci – kamerier në lokal.
Ildi Cekani – kamerier në lokal.
Murat Zhabina – kamerier në lokal.
Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar.
Luçiano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar.
Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
Kristi Koshi – i arrestuar.
David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim nën dyshimet për fshehjen e krimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
