Lajme

“Ngjarje e madhe për drejtësinë”, avokati flet rreth aktakuzës ndaj 35 të dyshuarve për Prekazin/ Ja si do të zhvillohet procesi gjyqësor

Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar të premten aktakuzën ndaj 35 personave, të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë sulmit në lagjen Jasharaj në Prekaz të Poshtëm, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e strukturave udhëheqëse të Njësive Speciale të Policisë së Serbisë, kanë planifikuar, koordinuar dhe drejtuar operacionin.

Prokuroria pretendon se gjatë sulmit janë përdorur artileri e rëndë, tanke dhe mjete të tjera luftarake, ndërsa janë vrarë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar. Po ashtu, sipas aktakuzës, civilë janë marrë peng, maltretuar e torturuar, ndërsa janë shkatërruar edhe objekte civile.

Kryeprokurori Blerim Isufaj e ka cilësuar aktakuzën si një hap të rëndësishëm të drejtësisë, duke theksuar se ajo është e para që lidhet me vrasjen e civilëve të familjes Jashari në Prekaz.

“Rasti është trajtuar me kujdes të shtuar, me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para gjykatës”, deklaroi Isufaj.

Për këtë zhvillim ka folur edhe avokati Arber Jashari, i cili për “Bota sot” e ka vlerësuar aktakuzën si një ngjarje të madhe për drejtësinë në Kosovë.

“Dorëzimi i aktakuzës nga ana e PS, lidhur me masakrën ne lagjen Jashari në Prekaz, është ngjarje e madhe për drejtësinë Kosovare. Kjo pasi që përgjegjësit qe e kanë shkaktuar atë masakër, tashme kanë emër e mbiemër, dhe janë botërisht të ditur. Fakti qe ata janë gjallë, jep akoma shprese se shume nga ta, potencialisht nuk do te vdesin pa e marrë damkën e fajtorit për krime lufte”, deklaron Jashari.

Ai ka sqaruar se, pavarësisht faktit që të pandehurit ndodhen jashtë juridiksionit të autoriteteve të Kosovës, ndaj tyre mund të zhvillohet proces gjyqësor në mungesë.

“Natyrisht që ata tani për tani janë të paqasshëm, për organet ligjzbatuse, gjithsesi ndaj tyre do te zhvillohet gjykim në mungesë, konformë neni 303 të KPP-së, e ku nga ky gjykim mund të shpallen edhe fajtorë për krimet e kryera”, thekson avokati.

Jashari ka vlerësuar gjithashtu se kalimi i kohës nuk e ka zbehur bazën e çështjes, duke thënë se provat e përfshira në aktakuzë janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin ndaj të pandehurve.

“ Në rastin konkret, nga ajo qa kemi parë, pavarësisht se kanë kaluar vite, aktakuza e prokurorisë, është e mbështetur në prova, të cilat janë të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e bazuar mirë, se të pandehurit i kanë kryer veprat penale të cilat akuzohen”, përfundon Jashari.

Ndërkohë, prokurori i rastit, Valdet Gashi, e ka cilësuar hetimin si kompleks dhe sfidues. Lënda tashmë i është përcjellë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit Special, me propozim për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

Sulmi në Prekaz, i zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars 1998, është një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë. Në atë operacion u vranë dhjetëra anëtarë të familjes Jashari dhe persona të tjerë, ndërsa rasti për vite me radhë ka mbetur pa një proces gjyqësor në Kosovë ndaj personave të dyshuar për përgjegjësi. Aktakuza e dorëzuar të premten synon të adresojë përgjegjësinë penale përmes procedurave gjyqësore.

Të Ngjashme